75 Mall Live Search
22:30 / E Enjte, 13 Shkurt 2025 / H F

Kurti i quajti ‘hajvana’ partitë opozitare, Hamza: Ecim tutje, nuk është gjuhë e duhur

Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se gjatë fushatës ofendimet kaluan kornizat e normales.

Ai ka thënë në T7, se PDK nuk ra në atë nivel, duke e ruajtur konsistencën – që të merren me prezantimin e programit.

U kërkua nga Bedri Hamza të komentojë për deklarimin denigrues në terma kafshor të Albin Kurtit, ku opozitën i quajti “hajvana”.

Hamza e mënjanoi nga të komentuarit atë deklaratë, duke thënë se “ecim tutje…nuk është gjuhë e duhur”.

“Ja unë e kam thënë dhe po e përsëris. E para i kam tre fëmijë, jam familjar , e kam punu profesor…dhe nuk e lejoj veten asnjëherë me përdor gjuhë jo adekuate. Po e përsëris, gjuha shqipe është mjaftueshëm e pasur me fjalë, dhe mujm me formulu mendimin e vet me fjalë të zgjedhura. Veç ecim tutje”, tha Hamza.

Tutje, Hamza ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë shumë probleme, për të cilat duhet të iu ofrohen zgjidhje.

“Ne kemi qëndruar në strategjinë tonë dhe jam i lumtur që e kemi ruajtur konsistencën, edhe sot me u kthy e bëjë të njëjtën rrugë”.

“Besoj që une e kam prezantu programet, i kam identifiku mirë nevojat e Kosovës, Kosova ka probleme sa dush; ekonomike, sociale, mirëqenies, infrastrukturës, diplomacisë, etj”, ka thënë ai.