17:03 / E Diele, 21 Prill 2019 / indeksADMonline

Kurti uron Pashkët: Vëllazëria fetare është bekim për shqiptarët

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurt ka uruar besimtarët e krishterë për Pashkët.

Kurti tha se Pashka është festë e ngarkuar me domethënien e jetës e cila nuk përfundon, por forcohet, kur jepet për të shpëtuar të tjerët.

Tutje ai tha se besimi i fortë se të gjithë jemi krijuar të barabartë, përbën bazën e qëndrimit se pabarazia e shtypja janë të padrejta, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Urime të gjithë besimtarëve të krishterë që kremtojnë sot Pashkën!

Pashka është festë e ngarkuar me domethënien e jetës e cila nuk përfundon, por forcohet, kur jepet për të shpëtuar të tjerët. Pra, është një mesazh altruist, nga i cili mund të nxirren mësime të vyeshme në një kohë kur cinizmi e nihilizmi përpiqen të bëhen dominantë. Festat tradicionale të bashkësive tona, të cilat kahmoti i kemi festuar bashkë, na dëshmojnë se dashuria dhe vëllazërimi mes njerëzve jo vetëm që është i mundshëm, por është vetë qëllimësia e njerëzimit. Besimi i fortë se të gjithë jemi krijuar të barabartë, përbën bazën e qëndrimit se pabarazia e shtypja janë të padrejta.

Për ne shqiptarët kjo aksiomë e barazisë është mirëkuptuar historikisht si vëllazëri ndërfetare. Në këtë kuptim vëllazëria fetare është bekim për shqiptarët dhe bekim i shqiptarëve për njërin-tjetrin nën dritën e vëllazërisë.

Qofshi të lumtur e të gëzuar në këtë ditë feste!

Urime për Pashkën, të gjithë besimtarëve!