21:11 / E Enjte, 01 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kusari-Lila kërkon implementimin e standardit “EURO 4” për importimin e veturave

Kryetarja e Alternativës që është edhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastukturë, Tregti e Industri, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për refuzimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa si dhe atij për Integrime Europiane për lejimin e importit të veturave deri në 15 vjet të vjetra.

Ajo theksoi se importimi i këtyre veturave përveç që shkakton ndotjen e ajrit, ndikon që të rritet edhe numri i aksidenteve me fatalitet.

Lejimi i importimit të veturave deri në 15 vjet të vjetra është kundërshtuar edhe nga përfaqësuesit e BE-së në Kosovë.

“Shumë brengosëse, në fakt vetë propozimi për ndryshim të projektligjit ka ardhë me një skepticizëm të madh jo vetëm nga deputetët por dhe shoqëria civile, ka një reagim shumë të madh”.

“Duhet të insistohet që kufizimi i viteve i cili është zgjeruar të mbetet prapë në nivelin që ka qenë, por gjithashtu të implementohet edhe standardi EURO 4″.

“Ajo që është e rëndësishme është se sa pak vëmendje po i kushtohet ndotjes së ajrit, i cili krijohet më së shumti nga ndotja e automjeteve”.

Deputetja e Alternativës ka thënë po ashtu se “importimi i veturave të vjetra dhe pa një standard të mirfilltë do të ndikojë në numrin e fatkeqësive të cilat vetëm se janë në rritje në Kosovë”.

“Vetëm për gjysmën e parë të vitit, kemi pasur 90 raste me fatalitet dhe çdo ditë po ndodhin të tilla andaj një ndërhyrje e tillë në projektligj pa pasur nevojë, arsyetimi se po e shtyjmë moshën e automjeteve gjegjësisht mund të importojmë automjete më të vjetra për ta zgjeruar bazën që më shumë qytetarë të pajisen me vetura, nuk qëndron fare”.

Kusari-Lila në  Klan Kosova ka treguar edhe se kush sipas saj ka iniciuar idenë e ndryshimeve ligjore për këtë çështje.

“Është e sponsorizuar nga një deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e PDK-së me disa nënshkrime të deputetëve tjerë. Natyrisht se nuk mund ta marrë mbështetjen e komisioneve, sikurse ai për Integrime Europiane ka refuzuar për shkak se nuk është në përputhshmëri me standardet e Bashkimit Europian”.

Deputetja e Alternativës deklaroi se vendet e rajonit kanë kritere edhe më të ashpra duke përfshirë matësin e emetimit të gazrave në një automjet.

“Shqipëria dhe Maqedonia e kanë edhe një element shtesë, një pajisje që e bënë matjen e emetimit të gazrave në automjete. Këtu ende nuk është bërë praktikë por duhet që domosdoshmërisht të përfshihet, që të ketë pajisje që bëjnë matjen në secilin automjet të lirimit të gazrave apo CO2 në mënyrë të të dihet saktë te secili atumojet se sa është dëmi që ia shkakton natyrës”.