23:39 / E Hënë, 18 Mars 2019 / indeksADMonline

Kush është Jurgen Kurti, 26-vjeçari i ekzekutuar sonte në Tiranë

Ekzekutohet tek dera e shtëpisë 26-vjeçari Jurgen Kurti. Ai u qëllua për vdekje dy herë me pistoletë nga dy persona, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me motor duke përfituar edhe nga errësira.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e sotme rreth orës 22:20 minuta në rrugën “Zef Jubani” pranë stadiumit ‘Selman Stërmasi’. Kurti sapo kishte zbritur nga makina dhe po kalonte trotuarin për t’i ngjitur në banesë kur ndaj tij u qëllua dy herë duke e lënë të vdekur në vend. Ai jetonte së bashku me motrën dhe nënën në të njëjtën banesë që vrau të atin pak vite më parë.

Report Tv siguron pamjet nga vendi i ngjarjes të momentit kur trupi transportohet nga ambulanca. Policia njofton se grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Por kush është Jurgen Kurti? Ai është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi disa vite më parë u përfshi në vrasjen e babait të tij, por edhe i akuzuar për dhunimin e një tregtari në Durrës që vdiq pas goditjeve.

Megjithatë Kurti mundi që të fitonte lirinë në të dyja rastet. Në rastin e parë autorësinë e vrasjes së babait të tij e mori daja, ndërsa në rastin e dytë u akuzuan vjehrri dhe vëllai i vjehrrit. Gjithashtu Jurgen Kurti njihej edhe si menaxheri i VIP-ave, pasi ka sjellë në Shqipëri disa këngëtarë të njohur në koncerte.

Autorët ishin të maskuar/ Detaje nga vrasja në Tiranë

Mësohet se dy personat që kanë ekzekutuar Jurgen Kurtin ishin të maskuar. Ata qëlluan dy herë me pistoletë Kurtin, ndërsa u larguan me shpejtësi me motor. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë, ndërsa ka marrë në pyetje edhe dëshmitarët që ishin në vendin e ngjarjes.

Nëna e Jurgen Kurtit kishte vetëm disa minuta që ishte ngjitur në banesë kur i vranë djalin poshtë pallatit.