13:03 / E Mërkurë, 29 Gusht 2018

Ky është kosovari i arrestuar për vrasje në Suedi

Muhamed Murseli, 22-vjeç nga Mitrovica, është arrestuar dy javë më parë në Kukës të Shqipërisë, me fletarrest të lëshuar nga Interpol Suedia, raporton Indeksonline.

Autoritetet suedeze po e kërkojnë ekstradimin e kosovarit për vrasjen e një personi në lagjen Vivalla në Örebro të Suedisë, e ndodhur me 3 korrik të këtij viti.

Bashkë me Murselin në kërkim është shpallur edhe irakiani Ramadan Ramadan, 31-vjeç, i cili po ashtu dyshohet për vrasjen e një personi tjetër në të njëjtin rast.

Murseli e Ramadan janë shpallur menjëherë në kërkim nga Interpoli, por aktualisht i arrestuar është vetëm kosovari derisa po punohet edhe në kapjen e irakianit.

Të dy të dyshuarit janë të filmuar nga kamerat teksa po e kryenin krimin, për motive ende të panjohura.

Ramadan Ramadan, irakiani 31-vjeç, ende në arrati

Prokurori suedez i rastit, Krister Peterson ditë më parë ka thënë se janë duke punuar me autoritetet e shtetit që ka arrestuar Murselin që ai brenda pak muajsh të ekstradohet në Suedi.

“Kam një afat kohor 40 ditor në të cilin duhet të marr veprime masive në rrugën diplomatike. Shpresojmë se do të jetë këtu brenda pak muajsh”, ka thënë Krister Peterson, transmeton Indeksonline.

Përveç Murselit dhe Ramadanit, katër të tjerë dyshohen për përfshirje në këtë krim. Një nga njerëzit e përfshirë në përleshje e që është rreth të 30-tave është arrestuar dhe i njëjti sipas medieve suedeze ka lidhje sekrete terroriste me ISIS. Sipas medieve, ai ka qenë më parë në Siri dhe ka marrë pjesë në beteja.

Muhamed Murseli, 22 vjeçari i arrestuar në Kukës për vrasjen në Örebro të Suedisë

Policia e Shqipërisë duke iu referuar arrestimit të Muhamed Murselit ka thënë se më datë 14 gusht 2018, u bë arrestimi provizor i shtetasit në kërkim M.M., vjeç 22, banues në Mitrovicë, Kosovë, pasi Gjykata Orebro Stockholm, Suedi, ka lëshuar urdhër “Arresti ndërkombëtar”, i dyshuar për veprën penale “Vrasja”. Rasti do të ndiqet sipas Nenit 3/1 të Kodit Penal Suedez./Indeksonline/