11:05 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ky ishte parashikimi i Fadil Vokrrit për grupin, ku ”sundoi” Përfaqësuesja e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës ka arritur sukses historik mbrëmë me fitoren ndaj Azerbajxhanit në stadiumin e Prishtinës, ”Fadil Vokrri”.

Të besuarit e Bernard Challandes ia dolën t’i mposhtin azerët me rezultat të thellë, 4-0.

Tre-golëshi i Arbër Zenelit dhe një gol nga Amir Rrahmani bën që Kosova ta regjistrojë këtë fitore madhështore dhe të kualifikohet tutje.

Saktësisht, me këtë fitore, Kosova inkuadrohet në Ligën C duke u kualifikuar në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni, shkruan IndeksOnline.

Me 15 gola të shënuar, 2 të pranuar – 4 fitore dhe dy barazime – Kosova e Challandes ka marrë vëmendjen e gjithë botës.

Shorti për grupin e Kosovës ishte hedhur në janar të këtij viti në Lozanë të Zvicrës, në një ceremoni ku mori pjesë edhe presidenti i ndjerë i FFK-së, Fadil Vokrri.

Suksesi i deritashëm i Përfaqësueses sonë natyrisht se i dedikohet Vokrrit, për shkak të punës së tij të jashtëzakonshme në avansimin e futbollit kosovar.

Por, çfarë kishte thënë Vokrri pas hedhjes së shortit në fjalë dhe se kë e kishte parë kundërshtar më të fortë për Përfaqësuesen.

Image result for fadil vokrri

Vokrri, shortin e kishte cilësuar të mirë për Kosovën, por vetëm se ishte i vetëdijshëm për rrezikun që do të vinte nga Azerbajxhani.

”Shorti, në shikim të parë, është i mirë, së paku në letër. Nëse i marrim këto dy skuadrat (Maltën dhe Ishujt Faroe, mendoj se mund të përfundojmë më mirë se këto”.

”Por, mendoj se Azerbajxhani është ndër skuadrat më të forta dhe duke u bazuar në rezultatet e tyre në kampanjën e fundit, është skuadra më e fortë nga katër grupet e Ligës D”.

”Mendoj se do të jetë e vështirë. Gjithçka do të vendoset në ndeshjet direkte duke marrë parasysh se vetëm vendi i parë vazhdon tutje, por ne do të mundohemi të fitojmë me eksperiencën nga kampanja e kaluar dhe shpresoj se do të renditemi në vendin e parë”, kishte thënë Vokrri për IndeksOnline.

Tutje, Vokrri ishte pyetur nëse do të ishte stadiumi, që sot mbanë emrin e tij, gati, për ndeshjet e këtij kompeticioni.

”Shpresoj dhe mendoj që po sepse i kemi të gjitha premtimet nga Kryeministri dhe Ministria e Sportit, që në muajin maj duhet të përfundojnë punimet në Stadiumin e Qytetit të Prishtinës”.

”Dhe unë shpresoj shumë sepse nëse nuk do të ndodhte, kjo do të ishte një katastrofë e vërtetë për Kosovën”, shtoi Vokrri.

Aso kohe, kur u hedhë shorti, Kosova ishte pa trajner, ndërsa Vokrri kishte thënë atëherë, se së shpejti do të zyrtarizohet gjithçka.

”Jemi në bisedime, shpejt do të vendosemi edhe për trajnerin pasi që tashmë e dimë edhe grupin, kështu që kjo është një lehtësi për ne”, kishte potencuar legjenda e futbollit kosovar për IndeksOnline.