10:23 / E Martë, 21 Janar 2020 / indeksADMonline

Lakersi bie në Boston, Warriorsi mposhtet në shtesë

Pas tri humbjesh radhazi, Boston Celticsi, ka reaguar fuqishëm dhe ka fituar me rezultatin e thellë 139-107, ndonëse përballë kishte një prej skuadrave më në formë të sezonit në NBA, Los Angeles Lakersin.

Në “TD Garden” të Bostonit, vendësit morën epërsinë që në fillim dhe nuk e lëshuan për asnjë moment, duke arritur një fitore të bukur dhe bindëse, falë një paraqitjeje mjaft të mirë edhe të lojtarëve si Tatumi, Browni dhe Walkeri.

Golden State Warriorsi i shkoi shumë pranë fitores së dytë radhazi në kampionat, por dështoi vetëm pas kohës shtesë në sfidën e zhvilluar në transfert përballë Portland Trail Blazersit.

Miqtë humbën fraksionin e parë, por reaguan mirë në të dy pjesët e radhës dhe morën epërsinë, megjithatë koha e rregullt u mbyll vetëm në barazim 113-113, ndaj për të gjetur fituesin ishte nevoja e kohës shtesë, ku vendësit morën epërsinë dhe triumfin final me shifrat 129-124.

Një sfidë mjaft interesante ishte edhe ajo midis Phoenix Sunsit dhe San Antonio Spursit, me këta të fundit që fituan jo pa vështirësi me rezultatin e ngushtë 118-120. Spursi e nisi vrullshëm ndeshjen dhe në gjysmën e parë dominoi, duke vendosur një epërsi të konsiderueshme.

Megjithatë në gjysmën e dytë të ndeshjes ranë në qetësi dhe u lejuan shumë terren kundërshtarëve, që të udhëhequr nga forma e shkëlqyer e Bookerit me 37 pikë, i shkuan shumë pranë përmbysjes së madhe.

Në takimet e tjera, Denver Nuggetsi triumfoi me shifrat 100-107 në transfertën ndaj Minnesotta Timberwolvesit, ndërsa Utah Jazzi mposhti bindshëm 118-88 Indiana Pacersin.