Lamar Odom tha se u martua për famë, kundërpërgjigjet Khloe Kardashian
Khloe Kardashian i është kundërpërgjigjur pretendimeve të ish-bashkëshortit të saj, Lamar Odom, se martesa e tyre bazohej në dëshirën e tij për famë.
Në një dokumentar të ri të Netflix, Odom la të kuptohej se vendosi të martohej me të sepse tërhiqej nga stili luksoz i jetesës së familjes Kardashian, një pretendim që ajo e mohoi në podcastin e saj, transmeton Indeksonline.
Në dokumentarin e Netflix “Untold: The Death & Life of Lamar Odom”, i publikuar më 31 mars, ish-lojtari 46-vjeçar i NBA-së reflektoi mbi martesën e tij me Khloé Kardashian, 41 vjeç, dhe mbidozën e vitit 2015 që gati i kushtoi jetën.
Odom u gjet më pas pa ndjenja në një bordello pranë Las Vegasit dhe po shërohej me ndihmën e Kardashian, nga e cila ishte divorcuar në atë kohë.
Në dokumentar, ai foli gjithashtu për vendimin e tij për t’u martuar me Khloé pas vetëm 30-ditësh lidhje. “Unë jam tashmë Lamar Odom dhe e shikoj atë dhe familjen e saj drejtpërdrejt. Mendova, ‘E di që këtu dua të jem. Kështu dua të jetoj'”, tha ai.
Shoku i tij i ngushtë Anthony “Pumpkin” Booker, i cili ishte në dasmë, pohon se pikërisht ditën e dasmës, Odom kaloi dy orë duke i shpjeguar pse po martohej. “Ai tha se po i bënte të gjitha këto për të siguruar një të ardhme më të mirë për veten e tij. Kardashianët njohin shumë njerëz dhe kanë shumë lidhje”, tha Booker.
Kardashian iu përgjigj pretendimeve të tij në një episod të ri të podkastit të saj “Khloé in Wonder Land”. “Po rri ulur para kamerës dhe thua se u martove me mua për famë? Çfarë? Këto janë budallallëqe. Ndihem si budallaqe”, tha ajo.


