07:30 / E Premte, 02 Mars 2018 / indeksADMonline

Lansohet udhëzuesi për politikën ndëshkimore në Kosovë

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë përmes ambasadës Amerikane në Prishtinë bëjnë lansimin e Udhëzuesit të 1-rë për politikën ndëshkimore për Republikën e Kosovës.

Qëllimi i këtij udhëzuesi është që të ofrojë pikëpamje të zgjeruar të ligjeve aktuale të dënimeve, të trajtojë problemet të cilat përmenden shpeshherë dhe të ofrojë një qasje uniforme.

Praktika e politikes ndëshkimore nëpër gjykatat e Kosovës i është nënshtruar një vështrimi shumë të kujdesshëm që nga miratimi i Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Me ngritjen e efikasitetit të gjykatave përmes njohjes më të mirë të Kodeve, po rritet edhe numri i vendimeve të nxjerra.

Përderisa adaptimi me Kodet është pozitiv në administrimin e drejtësisë, numri në rritje i vendimeve ka rezultuar në disa trende të cilat shfaqin mangësi serioze në mënyrën në të cilën gjykatat i qasen caktimit të dënimeve, profesionalizmin e gjykatave në nxjerrjen e mendimeve dhe ndikimin përfundimtar të tyre mbi të akuzuarit.

Përfundimisht, koha për të bërë ndryshime dhe për të zbatuar reforma në proces është tani para se problemet të bëhen tepër të rrënjosura.