13:38 / E Mërkurë, 01 Gusht 2018 / indeksADMonline

Lekaj-Janjiqit: S’e kemi ndërmend të mbetemi peng i juaji!

Zhurma e krijuar nga Manastiri i Deçanit rreth rrugës që lidhë komunat perëndimore të Kosovës me Malin e Zi nuk po pengojnë aspak në punimet e iniciuara nga Ministria e Infrastrukturës.

Ministri, Pal Lekaj ka bërë të ditur se punimet në rrugën Deçan-Mali i Zi janë duke vazhduar në përputhshmëri me planin e paraparë. Sipas tij, kjo rrugë po rehabilitohet për të qenë në  shërbim të të gjithëve.

“Ne në vazhdimësi kemi takime e diskutime me të gjithë faktorët relevant sa i përket rehabilitimit të rrugës Deçan-Mali i Zi. Së fundmi me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian me komandantin e KFOR-it dhe anëtarët e KZM-së kemi vizituar punishten e këtij projekti dhe të gjithë janë informuar nga afër se punimet janë duke u zhvilluar jashtë zonës së mbrojtur, për të cilat punime, ne si Ministri e Infrastrukturës nuk kemi pse të mbetemi peng i askujt sepse është konform ligjeve të vendit tonë”, ka thënë Lekaj për “Indeksonline”.

Më tej, i pari i MI-së ka theksuar se janë dhënë garanci se punimet në pesë kilometërshin, që është brenda zonës së veçantë, nuk do të zhvillohen pa një dakordim paraprak.

“Por ashtu  siç e kam thënë vazhdimisht, ajo rrugë është duke u rehabilituar për të qenë në shërbim të të gjithëve, duke përfshirë edhe Manastirin e Deçanit”, ka përfunduar Lekaj.

Ndryshe, kundër ndërtimit të kësaj rruge ishin deklaruar përfaqësuesit e Manastirit të Deçanit. Madje më 27 maj ishin ndërprerë edhe punimet në këtë pjesë pas kërkesës së Manastirit dhe reagimeve të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Prifti Sava Janjiq është ndër emrat që më së shumti bëri bujë në këtë kundërshtim duke thënë se ndërtimet në këtë rrugë po bëhen jashtëligjshëm, duke u ankuar kështu tek përfaqësuesit e BE-së, OSBE-së, KFOR-it dhe në Qeverinë e Kosovës.

Janjiq nuk ishte ndalur me kaq duke thirrur edhe në një takim të veçantë edhe ambasadorët e haj në Kosovë. /Indeksonline/