16:35 / E Enjte, 27 Shkurt 2020

Letërkëmbimi Thaçi-Rasmussen, juristët: Nuk është marrëveshje ndërkombëtare

Një letërkëmbim në mes të ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-sekretarit të NATO-s Andres Fogh Rasmussen në vitin 2013, në të cilën Thaçi garantonte që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë në veri të vendit pa pajtimin e KFOR-it, ka bërë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të ngre çështjen për mundësinë e shkarkimit të presidentit Thaçi. Kurti pretendon se Thaçi ka bërë marrëveshje sekrete me NATO-n, dhe se përmes një marrëveshje të tillë ai i ka bartur KFOR-it të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të vendit.

Letërkëmbimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e publikoi dje, e quajti marrëveshje sekrete të bërë nga Hashim Thaçi, ku edhe ngriti çështjen e shkarkimit të presidentit, që siç tha Kurti, nëse konstatohet se ka bërë shkelje kushtetuese.

Për këtë letër, Kurti dje iu drejtua menjëherë kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ndërkohë që e u tha se e njëjta i është dërguar edhe presidentit dhe kryeprokurorit.

“Përmes kësaj marrëveshjeje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”, thuhet në letrën e Kurtit që ia dërgoi Vjosa Osmanit, e cila tha pastaj se të njëjtën e ka përcjellë te deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Kurtit, në prill të 2013 janë arritur dy marrëveshje, por që deputetëve u është bërë e ditur vetëm njëra, ndërkohë që kjo për FSK-në është mbajtur sekret.

Andaj Kurti kërkoi nga zyra e tij që ta analizojnë këtë letër dhe implikimet e saj kushtetuese, lidhur me nenin 20 “Bartja e sovranitetit” nenin 18 “Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare” dhe nenin 91 “Shkark imi i presidentit”.

Por, njohës të drejtësisë në vend këtë letërkëmbim nuk po e konsiderojnë marrëveshje, veçse një zotim të kryeministrit të atëhershëm.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj konsideron se nuk mund të quhet sekret ai letërkëmbim meqë i njëjti është diskutuar që prej vitit 2013 dhe është përcjellë edhe nga kryeministri Isa Mustafa.

Sipas tij, diçka e tillë nuk mund të quhet marrëveshje meqë nuk i plotëson as kriteret bazë që i përcakton ligji në Kosovë për marrëveshjet ndërkombëtare.

“Jo domosdoshmërisht gjithçka që dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët mund të konsiderohet edhe shkelje kushtetuese. Në rastin konkret e them me përgjegjësi të plotë, fatkeqësisht, ka qenë njà « gabim amatoresk i kryeministrit Kurti, gabim amatoresk i atyre që e kanë shkruar atë opinion ligjor lidhur me supozimet për shkelje kushtetuese, e që e njëjta, gjithmonë fals nëse zbatohet ligjshmëria, pa dashur të paragjykojë raste sepse nuk jam Gjykatë Kushtetuese, por nëse merren për bazë praktika e drejta ndërkombëtare publike, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, çka quhet marrëveshje ndërkombëtare, shumë dyshoj që kjo mund ta ketë fatin që të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese në bazë të meritës”, thotë Miftaraj.

Miftaraj thekson se duhet marrë parasysh deklaratën për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, dhe obligimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova në raport me KFOR-in, ku dihet se bartës kryesor që garanton sovranitetin në Republikën e Kosovës është NATO, përmes KFOR-it.

Derisa përmend Konventën e Vjenës lidhur me traktatet dhe ligjet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Koso vë, Miftaraj shton se përcaktohet në mënyrë të qartë që një marrëveshje ndërkombëtare konsiderohet e tillë atëherë kur e njëjta shkon për ratifikimin në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj kur publikohet në faqen zyrtare.

Ndër të tjera, drejtori ekzekutiv i IKD-së flet edhe për anën politike të rasteve të tilla, ku sipas tij, lidershipi në Kosovë para se të marrë vendime të tilla, si ai i kryeministrit Kurti dje i cili doli në paraqitje publike, duhet të bëjë analizë se a mund të dëmtohen raportet me NATO-n.

“Raportet, jo vetëm me NATO-n por edhe faktorin ndërkombëtar zbehen, kredibiliteti e imazhi i Kosovës zbehet kur në publik, pa pasur takime paraprake qoftë me NATO-n, qoftë me KFOR-in, qoftë me miqtë ndërkombëtarë, kur flasin NATO flasin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Turqia e shtetet kryesore që e njohin Kosovën që janë partnerë strategjikë të Kosovës, dhe të dalësh me një konferencë të tillë pa u konsultuar me të njëjtit, mendoj që është një amatori politike e cila duhet të evitohet dhe nuk duhet të përsëritet në të ardhmen”, thotë ai.

Për letërkëmbimin Thaçi-Rasmussen ka folur për KosovaPress edhe ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, i cili në kohën kur u këmbyen këto letra ishte në krye të këtij institucioni.

Ai thotë se asokohe është informuar nga ministri i FSK-së se ekziston një dakordim në mes të Kosovës dhe NATO-s se FSK zhvillon operacione në veri në pajtim me KFOR-in.

“Në 2013, më kujtohet kur në atë kohë kam drejtuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, përmes ministrit mu ka kumtuar që është një marrë veshje që FSK-së jo t’i ndalohet, ajo nuk ka qenë asnjëherë, por nëse lëvizë në veri apo nëse kërkohet nga dikush që të lëvizë në veri, të bashkëveprohet me KFOR-in, të jetë në koordinim dhe bashkëveprim me KFOR-in. Unë si komandant në atë kohë kam urdhëruar që dy herë gjatë mandatit tim FSK ka operuar në veri të Mitrovicës”, thotë ai.

Megjithatë, sipas ish-komandantit të Forcës, tani kur FSK ka nisur procesin e tranzicionit dhe ka marrë mandat të ri ushtarak, një letërkëmbim i tillë është i tejkaluar.

“Prej vitit të kaluar kur FSK me miratimin e tre ligjeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që tashmë nuk ka mision civil por ka mision ushtarak, atëherë kjo marrëveshje është e tejkaluar, dhe Ushtria e Kosovës si forcë ushtarake në misionin e saj, një prej detyr ave kyçe e ka mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Do të thotë me përmbushjen e kapaciteteve operacionale dhe me funksionalizimin e kësaj force ushtarake që të jetë e aftë të kryejë misionin e vet atëherë kjo forcë do të veprojë në çdo cep të Kosovës ku ka nevojë dhe ku urdhërohet nga institucionet e Republikës së Kosovës”, thotë ai.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti u takua sot me komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneral major, Michele Risi.

Kurti nuk është deklaruar për media pas takimit, veçse në komunikatën e kryeministrisë është thënë se është rikonfirmuar përkushtimi për bashkëpunim të afërt ndërmjet kryeministrit dhe komandantit të KFOR-it, brenda mandateve që kanë.

“Kryeministri shprehu falënderimin në emër të qytetarëve të Kosovës për rolin e vazhdueshëm të KFOR-it në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë territorin e Kos ovës. Po ashtu, ai vuri theksin në qëllimin e integrimit të Kosovës në NATO si aspiratë që do të realizohet domosdoshmërisht në të ardhmen. Në këtë fazë, bashkëpunimi i KFOR-it me Ministrinë e Mbrojtjes është i një rëndësie të veçantë. Komandanti i KFOR-it theksoi se nën mandatin e tij të OKB-së, KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet e tij për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës. Ai gjithashtu ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe angazhimin për koordinim institucional në interes të sigurisë në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.