75 Mall Live Search
09:47 / E Shtunë, 01 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Liberalizimi, “në bisht të sorrës”

Ministrja e Integrimit Evropiane, Dhurata Hoxha, ka dhënë informacion se Kosova nuk është në agjendën e BE-së për liberalizim në fillim të dhjetorit.

Hoxha tha se nuk ka ende informacione zyrtare, mirëpo në agjendën e publikuar për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së për datën 6 dhjetor, Kosova nuk figuron fare që është në rend dite për çështjen e liberalizimit të vizave, raporton EO.

“Nuk kemi marrë informata zyrtare që nuk do jetë apo do jetë, mirëpo çfarë kemi parë është se është publikuar agjenda e takimit të këshillit më 6 dhjetor, është e publikuar dhe aty nuk figuron liberalizimi apo pika e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës. Është me të vërtetë për keqardhje, sepse ne kemi përfunduar punët tona dhe tani i mbetet BE-së ta kryejë pjesën e vet të marrëveshjes. Marrëveshja ka qenë tërë kohën, ky proces është teknik po sa të plotësohen kriteret, ne më pastaj do liberalizojmë vizat për qytetarët e Kosovës dhe tani po e vërejmë një mungesë të vullnetit politik nga shtetet anëtare që të lëvizin përpara, ka mbetur vetëm hapi i fundit, tjerat publikimi në gazetën zyrtare, plotësim-ndryshimi i rregullores të gjitha këto janë procese teknike që nëse ka vullnet politik në shtete anëtare shumë shpejt mund të përfundojnë”, tha ajo.

Hoxha u shpreh e dëshpëruar me mungesën e vullnetit politik nga shtetet e BE-së ndaj lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Ajo tha se ka vende tjera që me më pak kritere kanë lëvizje të lirë, ndërsa Kosova ende është në pritje.

“Tani jemi në ditët e fundit, pra është me të vërtetë e pakuptimtë të shohim këtë mungesë vullneti nga BE-ja që të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës. Është plotësisht e pakuptimtë kur shohim se ka shtete të cilat me më pak kritere gëzojnë lëvizjen e lirë, ndërsa Kosova me aq shumë kritere dhe punë të madhe që kemi bërë viteve të fundit ende të mos ketë apo të mos jetë vullneti politik dhe ende trajtohet me standarde të dyfishta”.