18:20 / E Shtunë, 24 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ligjëratat e imamëve nëpër burgje, mundësi e mirë për deradikalizmin

Personat të cilët janë kthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak e që janë dënuar nga autoritetet kosovare, shumë shpejtë pritet që të nisin ligjëratat me imamët e Kosovës.

Kjo krejt pas një memorandumi që pritet të nënshkruhet në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, me qëllim deradikalizimin e tyre përmes ligjërimeve nga zyrtarët fetar (imamët).

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri për Indeksonline ka bërë të ditur se memorandumi tashmë ka marr formën e vet finale dhe gjatë javës së ardhshme do të nënshkruhet nga të dy palët.

“Në zbatim të obligimeve të Ministrisë së Drejtësisë të përcaktuara në Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm 2015-2020, jemi në fazën e realizimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili ka për qëllim bashkëpunimin në mes të Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës për realizimin e rehabilitimit dhe riintegrimit e personave të burgosur”, është shprehur Tahiri.

Ministri Tahiri ka thënë se imamët do të përcaktohen nga BIK-u, mirëpo do të verifikohen nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

“Përzgjedhja e zyrtarëve fetar (imamëve) të cilët do të ligjërojnë në institucionet korrektuese, do të jetë në përgjegjësinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila përcakton paraprakisht kushtet dhe kriteret por edhe mënyrën e angazhimit të zyrtarëve fetar (imamëve). Pas nënshkrimit të këtij Memorandumi, BIK do të fillojë procedurat e angazhimit të tyre. Megjithatë, imamët e përcaktuar nga Bashkësia Islame do të kalojnë në një procedurë verifikimi nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, si institucion kompetent për verifikim të kësaj natyre”, ka thënë kreu i Ministrisë së Drejtësisë.

Ligjëratat e imamëve do të monitorohen nga BIK-u. Po ashtu edhe pagesat e tyre behën nga kjo bashkësi.

“Krahas programeve të rregullta trajnuese që zhvillohen nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, ligjërimet e zyrtarëve fetar (imamëve) do të aprovohen dhe monitorohen nga ana e Bashkësisë Islame të Kosovës. Po ashtu, përgjegjësia e vendosjes së kushteve për angazhimin e zyrtarëve fetar (imamëve), përfshirë pagesa e angazhimit të tyre do të bëhet nga Bashkësia Islame e Kosovës”, është shprehur në fund Tahiri.

Në anën tjetër, teologu Mustafa Bajrami për Indeksonline e ka quajtur këtë iniciative të mirë dhe që do të ketë suksese në të ardhmen.

“Nëse ligjëratat që do të mbahen para të burgosurve përgatiten mirë, pra, nëse Bashkësia Islame e Kosovës dërgon njerëz të përgatitur mirë, e jo veç sa për të thënë, ato ligjerata do të reflektojnë pozitivisht. Mos të harrojmë, gjuha e mirë, e butë, dhe që përkon me dinamikat e kohës, është mjet shumë i fortë për orientime të nevojshme të rinjve tanë”, është shprehur Bajrami .

Tutje, teologu Bajrami ka thënë se ligjëratat e imamëve mund të ndikojnë shumë në deradikalizimin e personave të kthyer nga luftërat në Siri.

“Jemi ndër ata që vazhdimisht kemi thënë e kemi shkruar se ligjërata nëpër xhamitë tona duhet të ndryshojë. Duhet t’i ikim asaj forme të vjetërsuar të ligjëratave nëpër xhamitë tona. Duhet përgatitje adekuate për të ligjëruar nëpër xhamitë tona. Përderisa ato objekte frekuentohen nga mijëra të rinj, atëherë, mesazhet që dalin nga aty duhet të jenë të forta, të përçojnë fjalën e Allahut që thërret në dashuri dhe respekt të ndërsjellë. E, pra, edhe nëpër burgje mund të ketë efektet e veta. Të rinjtë tanë janë mashtruar, nga individë të caktuar, falë Zotit që janë pak, ama, gjithsesi janë lajthitur nga ligjërata të gabueshme dhe nga medie e portale që thërrasin në forma ekstreme të praktikimit të fesë. Edhe pse në burgje, koha e ligjërimeve është mjaftë e limituar, megjithatë, mendoj se do të ndikojë pozitivisht tek të kthyerit nga Siria”, është deklaruar Bajrami.

Rreth 130 persona tashmë janë kthyer në Kosovë dhe pothuajse të gjithë janë arrestuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm dhe pjesëmarrje në luftëra të huaja.

Aktualisht në këto zona, sipas të dhënave zyrtare, vazhdojnë të jenë edhe 27 fëmijë dhe 44 gra./Indeksonline/