09:37 / E Shtunë, 23 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Lilaj, lojtari më i mirë për vitin 2017

Ashtu siç është bërë traditë, FSHF organizoi edhe këtë fundvit mbrëmjen gala ku bashkoi disa nga personazhet më të njohura të futbollit në vendon tonë dhe nderoi me çmime shumë emra të njohur, ndërsa shpalli edhe lojtarin e gjyqtarin më të mirë të vitit 2017.

Është mesfushori i Skënderbeut Sabien Lilaj futbollisti më i mirë në Shqipëri për 12 muajt e fundit.

Paraqitjet e tij pozitive në ndeshjet e pjesës së parë të sezonit por edhe kontributi i madh që lojtari dha në kualifikimin e skuadrës korçare në fazën e grupeve të Europa League, bënë që Lilaj të merrte edhe një ftesë nga trajneri i Kombëtares, Christian Panucci për miqësoren me Turqinë.

 Çmimi i arbitrit më të mirë për vitin 2017 iu dorëzua Juxhin Xhajës, ndërsa ai i mirënjohjes për FFK-në.

Gjatë mbrëmjes gala ku ishte i pranishëm edhe ish trajneri i kombëtares, Gianni De Biasi dhe pasuesi i tij Christian Panucci, u nderuan me titullin pllakartë, Ramadan Shehu, Artan Bano, Agron Karriqi, Arben Arbëri, Avenir Dani dhe Besnik Dyla. Ndërkohë, titulli legjenda e futbollit shqiptar shkoi për Bedri Omurin, Astrit Ziun, Sabri Peqinin, Luigj Bytyçin dhe Uran Xhafën.