23:13 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Limaj tregon se pse u ndërpre takimi i CEFTA-s

Mbledhja e sotme e Komitetit ndërministror të CEFTA-s, e cila ishte paraparë që të mbahej sot në Prishtinë, është shpallur e mbyllur nga kryesuesi i Kosovës, pasi përfaqësuesi i Serbisë e ka shkelur marrëveshjen, që ishte arritur paraprakisht, që Kosovës nuk bënë t’i referoheshin më emërtime jokushtetuese.

Durim Limaj, i cili gjatë këtij viti kryeson CEFTA-n, si përfaqësues i Ministrinë së Tregtisë dhe Industrisë, ka treguar për KosovaPress se si ka rrjedhur takimi i sotëm i Komitetit ndërministror të CEFTA-s.

Kjo javë është java e CEFTA-s, ku në Prishtinë janë mbajtur një varg aktivitetesh, ndërsa sot ishte paraparë që të mbahej mbledhja e Komitetit ndërministror të CEFTA-s.   Serbia dhe Bosnja nuk kanë marrë pjesë në asnjë aktivitet që është zhvilluar gjatë kësaj jave, dhe mbrëmë kishin njoftuar se do të marrin pjesë në takimin e sotëm.

Serbia përfaqësohej nga një avokat, që ishte kontraktuar nga pika e CEFTA-së në Serbi, dhe një person i të ashtuquajturës Zyra e Serbisë për Kosovë. Duke pasur parasysh rrethanat e krijuara me vendosjen e taksës nga Republika e Kosovës, Durim Limaj tregon se sapo kanë ardhur përfaqësuesit nga Serbia dhe Bosnja, e kanë ditur që mund të ketë deklarime të papranueshme nga ta, kanë caktuar një takim së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Por, paraprakisht Limaj kishte marrë instruksione nga ministri Endrit Shala, që të mos lejohet të përmendet emërtimi UNMK, 1244, apo Kosova e Metohija. “Unë ua bëra me dije si kryesues atyre, që tashmë është vendosur për një agjendë të takimit dhe do të flasin në lidhje me ato tema që janë përcaktuar më herët dhe për të cilat kanë qenë të njoftuar të gjithë një javë më parë.

Ata kanë kërkuar që në pikën e ndryshme të agjendës të japin një deklaratë në lidhje me taksën e fundit. Unë kam thënë po mundemi me ju lejuar më dhënë deklaratë, mirë po me kusht që nuk i referoheni Kosovës si UNMIK, nuk e përmendeni rezolutën 1244, apo Kosova e Metohija”, tha Limaj.

Pas diskutimeve dhe kontaktimeve të tyre me Beogradin, ata kanë pranuar që të mos i përmendin emërtimet tjera për Kosovën, por kanë kërkuar që të ketë një takim sipas rregullores së CEFTA-s, për të biseduar në lidhje me taksën.

“Unë u kam thënë se për të mbajtur një takim të tillë, së pari duhet me ndërruar kërkesën, pasi kërkesa e juaj është e adresuar gabimisht, dhe nëse ju e dërgoni një kërkesë drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës, një gjë e tillë mund të ndodh pa problem”, ka sqaruar Limaj.

Ai po ashtu tregoi se përfaqësuesit e Serbisë, kanë kërkuar që mbledhjen me udhëheq UNMK-u, por një gjë e tillë nuk ka pranuar të ndodh dhe kanë shkuar në sallë, për ta filluar takimin. “Kemi vendos me shkuar në sallë të mbledhjeve dhe e kam hap takimin dhe pasi u kam dëshiruar mirëseardhje, në momentin kur kam pyetur për agjendën, përfaqësuesi i Serbisë, Ivan Makroviç, ka ngrit dorën dhe ia kam dhënë fjalën.

Në fjalinë e parë ai e ka përmend UNMIK-un, dhe unë kam bërë me shënjë nga kolegia ime që do të fliste në emër të Kosovës, drejtoresha e Departamentit të Tregtisë, Syrime Dervisholli, për me lëshuar mbledhjen, ajo ka dal dhe unë si kryesues kam dashtë me vazhduar, për mos me u dok që po e prishim ne mbledhjen.

Por në fjalinë e dytë, ai i ka përmend institucionet e përkohshme vetëqeverise dhe në atë moment e kam deklaruar mbledhjen e mbyllur, kemi ndalur jashtë nga salla. Pas neve ka ardhur edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, dhe kështu është pamundësuar që të mbahet takimi i Komitetit ndërministror të CEFTA-s”, ka sqaruar Limaj.