15:25 / E Premte, 06 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Lipjan, sportistët stërviten në temperatura minus edhe pse komuna ndan çdo vit para për ngrohjen e sallës

Ditët e ftohta kanë filluar në Kosovë dhe të gjithë po ndërmarrin masat e nevojshme për t’u ngrohur gjatë kësaj kohe, por jo edhe salla e sporteve “Better life” në Lipjan.

Atje sportistët po stërviten në temperatura -1 gradë, të cilat pamundësojnë stërvitjen efektive, shkruan Indeksonline.

Në atë sallë për të mos i lënë të ngrijnë sportistët, gjendet një nxemje e vogël e cila del qesharake krahasuar me madhësinë e sallës.

Indeksonline pyeti Komunën e Lipjanit për mjetet që ndan për ngrohjen e sallës.

“Komuna e Lipjanit, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport çdo vit ndan mjetet e nevojshme për ngrohjen e salles sportive “Better Life” në Lipjan. Shuma që ndan kjo drejtori arrin shumën 2400 euro, për derivate e nevojshme gjatë periudhes gjashtë mujore të sezones të dimrit” – thuhej në përgjigjen e zëdhënësit të Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi.

Nxemjet duhet patjetër të lëshohen gjatë periudhës dhjetor – janar, të cilët janë muajt më të ftohtë të vitit.

I kontaktuar nga Indeksonline, drejtori për Kulturë Rini dhe Sport në Lipjan, Bekim Shabani tha se nxemjet janë funksionale dhe duke punuar edhe pse kishte pasur një defekt të vogël elektrik.

“Nxemjet në sallën e sportit “Better life” janë funksionale dhe duke punuar, pas një defekti të vogël, i cili është sanuar, dhe tash është në rregull” – u shpreh Shabani.

Megjithatë, probleme të njëjta me ngrohjen në sallë klubet nga Lipjani kanë pasur pothuajse çdo vit, duke stërvitur në temperatura edhe më të ulëta./Indeksonline/