09:47 / E Hënë, 11 Qershor 2018 / indeksADMonline

Lirohet ish-prokurori dhe vozitësi i tij

Ish prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Bajram Hamitaga, është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Gjilan në akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë proces gjyqësor prokurori Bajram Hamitaga akuzohej për keqpërdorim detyre, ndërsa vozitvsit i tij Luan Delili për frikësim ndaj procedurës penale i cili gjithashtu është shpallur i pafajshëm.

Ata janë liruar “në mungesë të provave”, shkruan Kallxo.com.

Sipas vendimit të trupit gjykues, i dëmtuari Granit Paçarizi, për kompensim të kërkesës pasurore- juridike, udhëzohet në kontest civil.

Hetimet ndaj Hamitagës dhe Delilit filluan menjëherë pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në maj të vitit 2016, në të cilin prokurori akuzohej se ka kërkuar favore nga një i dyshuar ndaj të cilit ai po i zhvillonte hetimet.

Aktakuza ndaj Hamitagës dhe Delilit u ngrit nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 26 shtator.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hamitaga, i cili ka qenë prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe djalin e tij, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Shpallja e aktgjykimit ndaj ish-prokurorit Bajram Hamitaga. Foto: Kallxo.com

I pandehuri i dytë i këtij rasti, Luan Delili, më 8.4.2016, akuzohet se me anë të premtimit e ka nxitur personin tjetër që të përmbahet nga dhënia e deklaratave, në mënyrë që të tërhiqet nga dhënia e deklaratave që i ka dhënë në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prizren, se i pandehuri i parë B.H., ka kërkuar 5.000 euro, me çka ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale.

Hamitaga dhe Delili janë deklaruar të pafajshëm në pretendimet e Prokurorisë.