16:26 / E Mërkurë, 07 Mars 2018 / indeksADMonline

“Llugë” në Istog, Haki Rugova pa drejtorë më shumë se që 3 muaj

Janë bërë më shumë se 3 muaj që kur Haki Rugova u shpall fitues i zgjedhjeve lokale në Istog. Por, as pas kaq shumë muajsh, Istogu nuk po arrinë që të zgjedhë drejtorët. Burime të Indeksonline, të afërta me LDK-në në Istog mësojnë se kryetari Rugova po e ka të pamundur të zgjedhë drejtorët ngase janë disa zyrtarë të partisë që lakmojnë këtë pozicion.

“LDK-ja është ndarë në klane. Është luftë e madhe për drejtorllëk. Janë disa emra që synojnë këtë pozicion duke bërë presion te kryetari Rugova. Hajrush Shoshit i ishte premtuar një drejtorat, por nuk ka miratim të plotë nga partia. Xhevat Demaj në anën tjetër me çdo kusht po kërkon këtë pozitë pasi që Vrella e tij kishte rritje në vota. Synime ka edhe djali i ish kryetarit, Fadil Ferati, Iliri. Nga rinia me apetite është edhe Besart Dreshaj, një person i afërt me kryetarin Rugova” ka thënë burimi që brenda LDK-së për Indeksonline që ka folur në kushte anonimiteti, shkruan Indeksonline.

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Istog ka marrëveshje me PDK-në për bashkëqeverisje, por që ofrimi i tri drejtorive, dy nga to të rëndësishme ka shtuar pakënaqësitë brenda partisë. PDK-ja ka dhënë emrat e dy drejtorëve, por që mungon emrin i drejtorisë së tretë për të cilin thuhet se nuk ka pajtim ende.

Se Haki Rugova nuk ka qetësi në qeverisjen e Istogut, tregon edhe ankesa e opozitës ku dyshohet se e ka zgjedhur zëvëndës kryesuesin nga komunitetet duke shkelur ligjet dhe procedurat emëruese. Për këtë, opozita i ka dërguar ankesë MAPL-së duke e apeluar vendimin e datës 15 shkurt të këtij viti.

Ndryshe, për fitoren e Haki Rugovës në zgjedhjet e dhjetorit është ankesa edhe në Gjykatën Kushtetuese nga kandidati Gani Dreshaj, vendimi i të cilës pritet të mirret në ditët në vazhdim.

AAK beson fuqishëm se ankesa do të ketë rezultat dhe se në Istog duhet të ketë zgjedhje të reja pasi që sipas tyre ka bazë të fuqishme ligjore për shkelje të shumta./Indeksonline/

Temat: