21:26 / E Premte, 02 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Lufta nga serbo-sllavët në Kosovë – Letra e veçantë që u la “amanet”

Për të dëshmuar keqtrajtimet e pushtuesit serb gjatë viteve të luftës, janë përdorur metoda të ndryshme – nga shënimet, video-incizimet e shumëçka tjetër, në mënyrë që të mbeten materiale.

Dëshmi për maltretimet nga policët serbë në vitin 1999 ka lënë edhe profesori, Shyqri Galica.

Në prill të vitit 1999 ai kishte shkruar një letër për ta lënë si dëshmi se çfarë po bënte policia serbe.

E gjetur pas 19 vjetëve, kjo letër tregon se si familja e profesorit Galica nuk e dinte se çdo të ndodhte me fatin e tyre.

Po ju sjellin letrën e plotë të profesorit Galica, e publikuar nga djali i tij, gazetari Besart Galica.

Me 14 04 1999 dhjetë policë hynë në banesë dhe me armë të drejtuara nga ne, anëtarët e familjes (ndodhej këtu edhe shoku im profesor doktor Jashar Kabashi), pasi kërkuan letërnjoftimet dhe pasaportën time, bastisën çdo kënd të banesës.

Shumë libra shfletuan dhe vazhdimisht më pyetën për shumë çka…ndërkohë u thirr edhe një epror që kishte dhe një yll në supe. Po sa hyri, filluan me provokime e kërcënime, duke kërkuar shkrimet e fundit, gazetat e fundit dhe librat e botuara.

Edhe ai kontrolloi në disa rafte, kurse të tjerët nuk pushonin. Pas rreth dy orës, fëmijët e ndarë në një dhomë me mysafirin, ata dolën kurse eprori m’u kërcënua që të mos dilja nga banesa.

Të nesërmen doli vetëm shoqja për të blerë bukë, por në mbrëmje, (20:15) erdhën tre policë dhe me tyta automatikësh të drejtuara nga ne, na u kërcënuan dhe na urdhëruan që të mos dilnim nga banesa, madje të vdisnim urie. Njëri nga ta ma futi tytën e automatikut në gojë dhe ma mbushi gojën me gjak. Po ai nuk më frikësoi.

Që nga ajo ditë gjendemi në arrest shtëpie dhe nuk po kemi kurrfarë mundësish por ndonjë zgjidhje.

Dhe, po presim çka do të bëhet më tej….

Temat: