75 Mall Live Search
13:24 / E Premte, 05 Tetor 2018 / indeksADMonline

Luftimi i korrupsionit sfidues edhe për rajonin

Edhe në ditën e dytë të punimeve të konferencës rajonale kundër korrupsionit që po mbahet në Prishtinë, është diskutuar për deklarimin e pasurive dhe aseteve nga zyrtarët e lartë, si dhe është kërkuar mënyra e luftimit më efikas të korrupsionit me anë të verifikimit të deklarimit të pasurisë nga zyrtarë të lartë publik.

Në seancën e dytë të kësaj konference janë prezantuan praktikat e disa vendeve në rajon dhe më gjerë se si është e rregulluar me ligj deklarimi i pasurisë nga zyrtarë të lartë publik.

Specialisti i politikave për administratë publike dhe kundër-korrupsion, në Zyrën e UNDP-së në Stamboll, Irakli Kotetishvili, ka prezantuar praktikat për shtetin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Ai duke treguar për sistemin e deklarimit të pasurisë, ka thënë se mbi 1 milion zyrtarë publik janë të obliguar të deklarojnë pasurinë.

Kotetishvili shtoi se deklarimi në mënyrë online është më i mbrojtur dhe më praktik se ato fizike. Sipas tij, për këtë fakt edhe sistemi i Ukrainës është i bazuar në nënshkrimet elektronike. Duke folur për sistemin e menaxhimit e deklarimit të pasurisë në Gjeorgji, ka pasur mjaft raste në deklarim të rrejshëm.

“Rreth 1 milion zyrtarë publik nga ta kërkohet që të dorëzojnë deklarimet e pasurisë për vete dhe të afërmit e tyre. Në Gjeorgji, autoritetet gjeorgjiane kanë inspektuar 287 deklarime, 78 përqind prej tyre konsiderohen si negative ose të rrejshme. Kanë gjetur shkelje ose kanë shqiptuar gjoba, ndëshkime dhe i kanë dërguar kopjet e deklarimeve tek agjencitë për zbatimin e ligjit për hetime të mëtejshme”, theksoi Kotetoshvilli.

Ndërkaq, Flori Karaj, inspektor nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave në Shqipëri, ka thënë se në Shqipëri deklarimi i pasurisë bëhet nga niveli i lartë dhe ai i mesëm. Po ashtu, deklarimi i pasurisë bëhet edhe për shpenzimet mbi 300 mijë lekë.

Për kundër që në Kosovë deklarimi i pasurisë që bëhet fizik, në Shqipëri deklarimi bëhet online.

Karaj foli edhe për rezultat e këtij inspektorati të ngritura në Prokurori, por edhe numrin e deklarimeve.

Sipas tij, vetëm në vitin 2017, në Shqipëri kanë deklaruar pasurinë 6035.

Ai ka shtuar se është bërë e mundur që të qohen në organin e prokurorisë, në organin e akuzës mbi 262 zyrtarë për ndjekje penale. Gjithashtu janë gjobitur në kundërvajtje administrative prej 2 mijë deri në 10 mijë euro mbi 1 mijë e 700 zyrtarë.

“Zyrtari mban detyrim përveç aseteve pasurive, përveç të ardhurave, detyrimeve, burimit të krijimit të pasurive, edhe të shpenzimeve që ata kryejnë mbi 300 mijë lekë ose mbi 2200 euro. Është një detyrim që neve na ka dhënë efekt, sepse bazuar në këtë ekspozitë është bërë e mundur që nëpërmjet kontrollit të minimizojmë abuzimet me burimin e krijimit të pasurive”, theksoi Karaj.

Po ashtu, edhe ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Mal të Zi, Malden Tomoviq ka prezantuar praktikat e deklarimit të pasurisë në këtë shtet, i cili ka thënë investimet në këtë Agjenci ka bërë që sistemi i të dhënave të jetë me siguri të lartë.

Sipas tij, mbi 5 mijë zyrtarë të lartë publik bëjnë deklarimin më Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Mal të Zi.

“Verifikimi bëhet përmes sistemit informativ në kohë reale në atë mënyrë që sistemi i informacionit të Agjencisë është i lidhur me bazën e organeve të tjera siç është drejtoria tatimore… Po ashtu ligji parashikon që Agjencia mund të bëjë verifikimin e llogarisë bankare të funksionarit publik, mirëpo për t’u bërë edhe një verifikim i tillë është e domosdoshme që funksionari publik të jap pëlqimin që Agjencia mund të hyjë në llogaritë bankare dhe është ky detyrim që del nga Ligji për bankat”, ka thënë Tomoviq.

Në këtë panel të diskutimit, ka qenë edhe Drago Kos, kryesues i Grupit Punues Kundër Ryshfetit (OECD), i cili tha se luftimi i korrupsionit ndikon mjaft edhe me anë të verifikimit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publike.