14:02 / E Shtunë, 27 Janar 2018 / indeksADMonline

Lumezi jep urdhër prokurorëve, për zbardhjen e vrasjeve politike

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka zgjedhur konferencën vjetore të prokurorëve, që të kërkojë nga prokurorët hetimin dhe zbardhjen e vrasjeve të figurave publike para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Kryeprokurori Lumezi, teksa ka numëruar rezultatet e arritura në vitin 2017, duke thënë se vitin e kaluar janë zgjidhur 66 mijë e 235 lëndë të natyrave të ndryshme, viti 2018 duhet të jetë edhe më efikas, sidomos në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe vrasjet e figurave publike.

Lumezi u ka thënë vartësve të tij, se korrupsioni nuk luftohet me fjalë e premtime, por me veprime konkrete, në mënyrë që të luftohet përshtypja se në Kosovë të korruptuarit nuk ndëshkohen.

 

“Në këtë vit nga prokurorët e shtetit, pres angazhim maksimal në luftën kundër sfidave kryesore, siç janë krimi i organizuar, korrupsioni i nivelit të lartë, terrorizmi, krimet e luftës dhe në veçanti vrasjet e pandriçuara të figurave publike para, gjatë dhe pas luftës. Duhet t’i ndjekim të gjithë kryesit e veprave penale që deri më tani i kanë ikur drejtësisë. Ata duhet të identifikohen, hetohen dhe ndëshkohen në përputhje me ligjin. Ky është prioriteti ynë në vitin 2018, sepse këtë kërkojnë viktimat dhe familjarët e tyre, këtë kërkojnë edhe qytetarët e vendit tonë, prandaj ne duhet t’i adresojmë këto shqetësime në drejtim të zbardhjes së këtyre rasteve”, tha Lumezi.

Luftë të pa kompromis ndaj korrupsionit nga prokurorët ka kërkuar edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie. Ai tha se populli nuk beson se korrupsioni po luftohet nga drejtësia, prandaj duhet të punojnë shumë që të kthehet ky besim.

Derisa e ka quajtur thelbësore kryerjen e hetimeve me profesionalizëm të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

 

 

Temat: