Macron i shkruan letër Vuçiqit
‘Skandal’ e cilësuan serbët trajtimin që ia bënë autoritet franceze presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në shënimin e armëpushimit të Luftës së Parë Botërore në Paris. Për dallim nga ai, presidenti kosovar, Hashim Thaçi kishte një trajtim tjetër i cili i rendit përkrah presidentëve të vendeve më të mëdha të botës.
Por është pikërisht presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili tani i ka dërguar një letër në adresë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë letër Macron ka shprehur dëshirën që gjatë vizitës së tij në Beograd, me 5 dhe 6 dhjetor të ringjallë kujtimin e sakrificës së serbëve që patën në Luftën e Parë Botërore, që sipas mediave serbe do të shërbejë si bazë e një përpjekje të re në mes Francës dhe Serbisë për partneritet strategjik, transmeton Indeksonline.
Letra e Macron e shkruar për Vuçiq:
Unë do të doja që të ju falënderoj personalisht për praninë tuaj në Paris, në ceremoni, duke e përkujtuar 100 vjetorin e armëpushimit. Unë e di se si popull serb keni vuajtur gjatë Luftës së Parë Botërore, me një sakrificë të më shumë se një milionë e dyqind mijë njerëzve, që përbënin pothuajse një të tretën e popullsisë. Unë dua që ju dhe populli serb të jeni plotësisht të bindur në përkushtimin tim për të treguar nderin ringjalljen e kujtimeve të kësaj, gjë që do ta bëjmë së bashku në vizitën time në Serbi, me 5 dhe 6 dhjetor të këtij viti.
Shpresoj që kjo shënon vëllazërinë në mes dy vendeve dhe sakrificat e ushtarëve tanë që shërbyen si bazë e një përpjekje të re të përbashkët mes dy vendeve në kuadër të partneriteteve strategjike me qëllim të përmirësimit të mëtejshëm të bashkëpunimit, vlerat evropiane dhe stabilitetin rajonal.
Poashtu, dua të ju falënderoj për letrën tuaj të fundit në të cilën ju tregoni kontributin e Qeverisë për të zhvilluar dhe mësuar gjuhën frënge dhe bashkëpunimin shumëpalësh të Frankofonisë së Republikës së Serbisë. Përfshirja e vazhdueshme e vendit tuaj në rrjedhën e njëmbëdhjetë viteve të fundit si një anëtarë vëzhgues i Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë ka hyrë në një fazë të re në samitin në Jerevan, në tetor të këtij viti, kur ju morët me votim unanim, statusin e anëtarit të asociuar. Franca e ka mbështetur këtë zgjedhje dhe unë përsëris vullnetin tonë për t’ju ndihmuar në rrugën e promovimit të frëngjishtes në Serbi dhe vlerat që janë të përbashkëta për ne, për të cilat ju falënderoj shumë.
Duke pritur që t’ju takoj përsëri së shpejti, ju lutem Presidenti, që të merrni shprehjen e respekti tim të thellë./Indeksonline/