18:07 / E Enjte, 11 Korrik 2019 / indeksADMonline

Majlinda Kelmendi: Mendoj që jam ambasadorja më e mirë e Kosovës

Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, para garës së Grand Prixit të Budapestit, ka folur për Olympic Channel.

Kelmendi ka dhënë një mesazh të fuqishëm sa i përket barazisë gjinore në sport, transmeton IndeksOnline.

Ajo thotë se në Kosovë ende është një numër i madh i njerëzve që mendojnë se xhudo është më shumë sport për meshkuj. Tutje Kelmendi tha se vetë është femër dhe se mendon që është ambasadorja më e mirë e Kosovës.

“Sepse, unë jam femër dhe merrem me xhudo dhe mendoj se jam ambasadorja më e mirë e Kosovës. Pra, unë jam femër dhe merrem me xhudo. Prandaj, mendoj se ju kam treguar njerëzve se edhe nëse jemi femra, mund të bëhemi kampione”.

“Ne mund të jemi të forta, ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Uroj që ky mendim dhe qëndrim të ndryshojë dita-ditës”, shprehet tutje xhudistja pejane.

“Kjo do të thotë shumë për mua dhe mendoj se po bëhet çdo ditë mirë e më mirë. Federata Ndërkombëtare e Xhudos, po ashtu edhe Federata Evropiane e Xhudos po punojnë në këtë drejtim, kështu që mendoj se po shkon më mirë tash”, ka përfunduar sportistja më e madhe kosovare, e cila nesër synon të fitojë medalje në “Budapest Grand Prix 2019”.