13:24 / E Martë, 03 Prill 2018 / indeksADMonline

Makolli: Sefaj ‘në duart’ e Pacollit, s’do ta dërgojmë vendin në krizë

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme nuk do të ketë takim kryesia e kësaj partie, pasi që mbledhje kanë mbajtur gjatë ditës së djeshme.

Makolli ka thënë se vendimin për largimin ose jo të ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, do ta marrë kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli. Ndërsa, nuk ka bërë të ditur se kur pritet të bëhet publik vendimin rreth ministrit Sefaj.

“Vendimin rreth çështjes së ministrit Sefaj do ta marrë presidenti, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër. Sa i përket asaj se kur bëhet publik vendimi unë nuk kam informata zyrtare as prej presidentit. Por, normalisht që kjo çështje duhet zgjidhur në të mirën e të gjithëve, duhet me gjet një solucion një zgjidhje, e cila kishte me i kënaq të gjithë. Pasi kemi ardhur në një situatë që nuk kish dashur me ardhur, se ministri Sefaj ka qenë ndër ministrat më të mirë, por është krijuar situata që është krijuar dhe tash duhet të kemi parasysh të gjitha edhe interesin e Qeverisë, interesin e shtetit. Para së gjithash edhe interesin e Flamurit”, tha ai. Makolli ka thënë se mbledhjen e djeshme nuk kanë diskutuar lidhur me ministrin Sefaj, por që tha se kanë mbajtur një takim me anëtarët, të cilët janë pjesë e Qeverisë dhe që kanë vendosur që vendimin ta marrë kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Ndërsa, sa i përket asaj se nëse shkarkohet ministri i Punëve të Brendshme, AKR do të dalë nga koalicioni qeverisës, Makolli thotë se nuk është shumë e lehtë dalja nga qeveria. Për më tepër ai thotë se nuk janë parti që do ta sjellin shtetin në krizë. “Ne kemi biseduar dje rreth kësaj teme, nuk ka pasur deklarata ekstreme, qëndrime ekstreme që të dalim nga Qeveria. Këtu po merret shumë lehtë dalja nga qeveria. Ne tre muaj ditë kemi pasur një vakum institucional dhe ne jemi ajo partia e cila e kemi nxjerrë shtetin prej krizës një farë forme. Jemi ajo partia që nuk do ta biem shtetin në krizë për ma të madhin zor si të them, mirëpo duhet me tolerancë, me biseda do ë zgjidhet situata”, tha ai. KosovaPress ka provuar të kontaktojë edhe kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve.