18:42 / E Martë, 16 Tetor 2018 / indeksADMonline

Flet ish ministri Bejtush Gashi: Nuk u largova për mosperformancë

Gjatë ditës së djeshme u shkarkua nga detyra e Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bejtush Gashi. Në vend të Gashit u emërua Ekrem Mustafa, nga radhët e po të njëjtës parti, AKR.

Por është pikërisht ish-ministri Gashi i cili ka reaguar së fundi lidhur me largimin e tij duke thënë se nuk kishte të bënte me mosperformancë gjatë ushtrimit të detyrës, por që zëvendësimi i tij ishte kërkesë e të parit të AKR-së, Behgjet Pacolli, shkruan Indeksonline.

Tutje Gashi ka falënderuar kolegët duke thënë se kjo periudhë e shërbimit në këtë ministri ishte nderë e privilegj, si dhe burim i një përvoje të pasur për veprimtarinë e mëtejshme të tij

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Kosovë, kolegë, miq dhe dashamirës,

Siç jeni njoftuar nëpërmjet mediave, prej ditës së sotme unë nuk do t’a ushtroj më detyrën e Ministrit të Punëve të Brendëshme të Republikës së Kosovës.

Sado e habitëshme që mund të duket po të mbajmë parasysh përvojën e vendeve demokratike të zhvilluar, arësyeja e zëvendësimin tim ka qenë një kërkesë e kryetarit të AKR-së për riformatizim të qeverisë dhe asnjë arësye tjetër që lidhet me performancën time gjatë ushtrimit të kësaj detyre.

Do të doja t’a shfrytëzoj këtë rast për të shprehur mirënjohjen time për bashkëpunimin e frytshëm me kolëgët ministra të kabinetit qeveritar dhe të gjithë punonjësit e Ministrisë me të cilët kam drejtuar gjatë këtyre gjashtë muajve.

Kjo periudhë e shërbimit tim në detyrën e ministrit ishte nderë e previlegj, si dhe burim i një përvoje të pasur dhe të çmuar për veprimtarinë time të mëtejshme.

Do të doja t’u dërgoj një falënderim publik edhe të gjitha medieve që e kanë përcjellë me korrektësi profesionale të gjithë veprimtarinë time gjatë këtyre muajve duke përfshirë edhe zëvendësimin tim prej detyrës së ministrit!

 

Me respekt

Bejtush Gashi