22:11 / E Premte, 05 Tetor 2018 / indeksADMonline

Marotta u bë “kurban” prej pagës 5.6 milionë euro

Lamtumira e Beppe Marotta nga Juventusi mund të konsiderohet si “shitja” e një lojtari nga më të mirët, ose si një sakrificë e nevojshme financiare për të ribalancuar llogaritë. Në vend që ta privonte veten nga njëri prej yjeve të tij, nga Dybala, para së gjithash, klubi bardhezi ka bërë një zgjedhje të dhimbshme, duke shkarkuar një nga protagonistët e mëdhenj të rilindjes së “Zonjës së Vjetër”.

Në bazë të kësaj zgjedhjeje sigurohet mbi të gjitha një kursim i konsiderueshëm ekonomik, duke pasur parasysh se Marotta në sezonin e fundit ka marrë një pagë prej 5.6 milionë euro (bruto). Në mënyrë të veçantë, ai ka përfituar 2.6 milionë euro pagë bazë, plus 3 milionë euro bonuse të tjera, që rrjedhin nga rezultatet e arritura në tri vitet e fundit. Totali i pagës së tij është e ndarë si më poshtë:

1.5 milionë euro për rolin e drejtorit menaxhues
0.5 milionë euro për arritjen e objektivave
0.1 milionë euro për fitimin e titullit
0.5 milionë euro për rolin e menaxherit të përgjithshëm
3 milionë euro bonuse për rezultatet 3-vjeçare

Shifër vërtet e rëndësishme, sidomos në krahasim me ato të pjesës tjetër të drejtuesve të Juventusit. Presidenti Agnelli ka një pagë prej 450 mijë euro (bruto), ndërsa zv.presidenti Nedved merr 400 mijë euro. Duket qartë se blerja e Ronaldos dhe rritja e pagave të futbollistëve e përshpejtuan vendimin për t’u ndarë me drejtorin Marotta.

Temat: