13:41 / E Premte, 07 Dhjetor 2018

Matoshi: 1.2 milionë € janë grante për komunat, jo për “Ta pastrojmë Kosovën”

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i është kundërpërgjigjur deputetit të LDK-s, Driton Selmanajt, për akuzat lidhur me ndarjen e vlerës prej 1 milion e 200 mijë euro për organizatën “Let’s do it Kosovo”.

Ai tha se 1 milion e 200 mijë euro do të përdoren për investime kapitale, si: rregullim të parqeve, rregullim të  hapësirave gjelbëruese, mbjellje të drunjve etj.

“1.2 milionë euro janë grante të ndara për 5 komunat më të suksesshme në aktivitetin që jemi dukee zhvilluar aktualisht, në fushatën ‘Ta pastrojmë Kosovën’. Ky premtim dhe ky grant është shpallur më 15 shtator, është paraparë në buxhetin e Ministrisë sëMjedisit dhe kemi aprovuar kriteret me të cilat do të shpërblehen 5 komunat. Këto 1.2 milionë euro do t’iu jepen komunave drejtpërdrejt në fushën e mjedisit”,  tha Matoshi.

Ndërsa deputeti Driton Selmanaj tha se fakti se ky projekt gjendet tek projektet kapitale lë hapësirë për dilema.

Sipas tij, aty kanë munguar sqarime të nevojshme.

“Unë prapë kam dilemat e mia. Pse ju këtë projekt e keni vendosur tek projektet kapitale, jo te grantet dhe subvencionet”, tha Selmanaj.

Këto debate janë duke u bërë në seancën  në të cilën është duke u shqyrtuar projektbuxheti i vitit 2019 .