21:39 / E Martë, 13 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Matoshi: Kam kërkuar që KEK-u mos t’u jap thëngjill punëtorëve sepse po kalon në treg

Prishtina vazhdon të jetë një nga qytetet më të ndotura në botë. Cilësia e ajrit ditëve të fundit shënon gjendje alarmante, duke rrezikuar kështu edhe shëndetin e qytetarëve.

Në një intervistë për RTK në lidhje me këtë çështje foli ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Matoshi tha se kjo gjendje është periodike veçmas gjatë stinës së dimrit dhe këtë nuk ua kanë fshehur për asnjë moment opinionit. Ndërsa tha se gjatë dy viteve të fundit Ministria tani e udhëhequr nga ai kanë marrë masa për t’a parandaluar këtë.

“Nuk është vetëm viti i kaluar dhe ky vit që shënon gjendje alarmante të ndotjes së ajrit, por ndotja është periodike. Është një periudhë e caktuar, në janar më e keqe, që shënon edhe tejkalim të normave të lejuara. Por në jemi duke i marrë disa veprime dhe presim që sivjet të ketë përmirsime”, u shpreh Matoshi, përcjellë Indeksonline.

Tutje ai shtoi se ende nuk dihen se kush janë shkaktarët që po ndotin ajrin, por që ai tha se një nga këta është pikërisht përdorimi i thëngjillit.

“S’është definitive cilët janë shkaktarët, por qe tre janë ndotësit më të mëdhenj; termocentralet, makinat dhe përdorimi i thëngjillit, sidomos ky i fundit ka përdorim të madh veçmas nga ora 18:00 deri në 22:00 kur njerëzit përdorin stufa”.

Sipas ministrit edhe këtë vit po vazhdon ndalimi përdorimit të thëngjillit në institucione shtetërore, duke nisur nga shkollat e deri tek dhënia e kësaj lënde për punëtorët e KEK-ut, të cilët më pas atë e kanë shitur në mënyrë ilegale.

“Kemi kërku që të paktën në shkolla të ndalohet, pastaj kemi kërku ndërprerjen e thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut, pasi që një sasi ka kaluar edhe në treg. Dhe me propozim tonë kjo është ndërpre dhe jemi njoftuar që punëtorëve u janë rritur pagat”.

Ai më pas tha se më vonë do të marrin edhe vendim për ndalimin e thëngjillit edhe në ekonomi familjare dhe banime. Por që këtë s’mund ta bëjnë tani, përderisa shumë institucione shtetërore vazhdojnë të ngrohen pikërisht me të./Indeksonline/