10:11 / E Martë, 19 Mars 2019 / indeksADMonline

Matoshi thotë se Hoti i LDK-së i bëri këto katër manipulime

Halil Matoshi, këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka dhënë disa kritika në drejtim të shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Sipas Matoshit, Hoti ‘duke mësyrë t’i numërojë “dështimet” e Qeverisë Haradinaj, harron se leximi i numrave me syze të errëta të politikës ditore, është thjeshtë manovrim me qëllim lajthitjen e publikut, deri në shkallë manipulimi.

Këshilltari i shefit të ekzekutivit numëroi katër manipulimet që sipas tij i bëri deputeti i partisë së Isa Mustafës, shkruan Indeksonline

Reagimi i plotë:

Manipulimi i numrave, specialitet i Abdullah Hotit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti duke mësyrë t’i numërojë “dështimet” e Qeverisë Haradinaj, harron se leximi i numrave me syze të errëta të politikës ditore, është thjeshtë manovrim me qëllim lajthitjen e publikut, deri në shkallë manipulimi.

Roli i opozitës demokratike është kritika publike e përgjegjshme dhe kontrolli i qeverisjes, duke ofruar alternative më të mira për vendin, por jo edhe manipulimi i fakteve.

Manipulimi Nr. 1.

Abdullah Hoti në një postimi me video në Facebook “nxjerr” parametra të përgjysmimit të trendit të rritjes së të hyrave buxhetore gjë që është manipulim i pastër.

Më 2017 që është vit i Qeverisjës Mustafa deri më 11 shtator 2017, sipas ATK- së, të hyrat buxhetore kanë qenë 414. 355. 294 ose 7.2%, kurse gjatë vitit të plotë qeverisës të Ramush Haradinajt 2018, këto të hyra janë rritur në 451 milionë, apo 10.3 %.

Ndërsa të hyrat totale nga doganat më 2017 ishin 1.121 milionë apo 6.1 % më shumë se në vitin 2016, kurse në vitin 2018 janë 1.135 milionë apo 1.2 % më shumë se në vitin 2017.

Ndonëse kjo rënie e normës së rritjes vjen si rezultat i ndikimit e MSA (që zvogëlon të hyrat për 45 milionë), kufizimi i importit të veturave (33 milionë), ndikimi i lirimeve më 2018 (pakoja e re fiskale) me efekt minus 74 milionë euro të cilat Abdullah Hoti si ekspert i financave duhet t’i kuptojë por qëllimisht i injoron.

Pra sipas të dhënave zyratre, në vitin 2018 të hyrat buxhetore janë 2 miliardë e 6 milionë euro, që krahasuar me vitin 2016  (kur ishin 1 miliard e 781 milionë) janë 225 milionë më shumë, kurse krahasuar më 2017 (kur ishin 1 milard e 923 milionë) janë realizuar  83 milionë euro më shumë.

Manipulimi Nr. 2

Hoti pandeh se është trefishuar trendi i rritjes së importeve, por të dhënat zyrtare thonë se më 2017 importi ka qenë 8.9%, kurse në vitin 2018 importi është zvogëluar për 14%;( Nga 3.844 milionë në 3.325 milionë euro.)

Derisa sipas tij, trendi i rritjës së eksporteve ka mbetur i njëjtë, gjë që nuk përkon me të vërtetën, ngase të dhënat flasin se nga 313 milionë euro eksportet më  2017 kanë shënuar rritje në 329 milionë më 2018, pra eksporet janë rritur për 5.2 %.

Manipulimi Nr. 3

Hoti pretendon se është rritur papunësia nga 27% në 30% gjjatë kësaj Qeverie, por të dhënat thonë se krahasuar me vitet 2015, 2016 dhe 2017 më 2018 janë trended e njëjta të papunësisë, kurse Hoti thirret në rezultatet e një ankete tremujore të ASK, që nuk është e dhënë relevante.

Manipulimi Nr. 4

Hoti “argumenton” se është rritur për 1/3 trendi i shpenzimeve, ndërsa të dhënat flasin për një trend krejtësisht të përafërt, prej rreth 8 milionë euro në vit, si më 2016/17 si më 2018.

P.S.

Në manipulimin e tij, eksperti Hoti nuk flet për Normën e rritjës së GDP-së nga 4.1 më 2016, 4.2 më 2017 në 4.3 më 2018 dhe sipas projektimit të FMN-së do të jetë 4.5 më 2019. Po ashtu, është bërë modë në LDK që të trumpetohet kinse ikja masive e të rinjve nga Kosova, por Hoti nuk jep të dhëna se si ndodhi që u zvogëlua numri i popullsisë nga 1.804944 më 2015 në 1.772.107 më 2016  apo për rreth 32.837 persona ose për rreth 2 % krahasuar me vitin 2015!

Gjatë Qeverisjes Mustafa ka ndodhur zvogëlim absolut i numrit të popullësisë së Kosovës që nuk ishte shënuar në historinëe demografike gjysmë shekullore!? Këtë e argumenton rënia e numrit të nxënësve dhe studentëve gjatë kësaj qeverisjeje të manipulimit të numrave dhe zbrazjes së Kosovës!?