20:39 / E Hënë, 06 Korrik 2020 / indeksADMonline

Mbahet takimi përgatitor koordinues i Qeverisë së Kosovës dhe Donatorëve Ndërkombëtarë

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe ministrja e Financave Hykmete Bajrami kanë zhvilluar një takim virtual me donatorët dhe partnerët zhvillimorë. Ky takim kishte karakter përgatitor për konferencën e radhës të nivelit të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe Donatorëve Ndërkombëtarë që pritet të mbahet pas disa javësh.

Në hapje të takimit, Zëvendëskryeministri Selmanaj i falënderoi donatorët për kontributin e tyre në zhvillimin e Kosovës. Ai vuri theksin te mbështetja e ofruar nga donatorët në menaxhimin e pandemisë COVID-19, të cilën mbështetje e vlerësoi lart.   

Në fjalën e saj ministrja e Financave Hykmete Bajrami, e bëri një prezantim të Programit për Rimëkëmbje Ekonomike të hartuar nga Qeveria e Kosovës. Ajo shpjegoi masat e parapara, institucionet bartëse për zbatimin e masave si dhe rolin dhe kontributin e donatorëve në procesin e rimëkëmbjes ekonomike.  

Zonja Bajrami, mes tjerash, theksoi se Programi për Rimëkëmbje Ekonomike synon që, jo vetëm të zbus dëmet ekonomike dhe sociale të shkaktuara deri tani nga pandemia COVID-19 në ekonominë e Kosovës, mirëpo, theksoi ajo, “programi synon të vendos bazat e një platforme ambicioze për rimëkëmbje ekonomike dhe sociale përmes masave të studiuara mirë dhe përmes koordinimit të ngushtë me donatorët, me institucionet financiare ndërkombëtare dhe agjencitë zhvillimore ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.”

Pjesëmarrësit në takim e mirëpritën këtë iniciativë të Qeverisë dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të punuar së bashku me Qeverinë e Kosovës në projekte dhe aktivitete që kanë për qëllim forcimin e ekonomisë, fuqizimin e institucioneve demokratike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.    

Takimi i nivelit të lartë ndërmjet Qeverisë së Kosovës me donatorët ndërkombëtarë do të mbahet pas disa javësh. 

Në mesin e pjesëmarrësve në këtë takim ishin përfaqësuesit nga BE, USAID, GIZ, UNKT (UNDP, UNICEF, etj.), ADA, Ambasada e Suedisë, FMN, BERZH, TIKA, Ambasada e Norvegjisë, Ambasada e Francës, Ambasada e Japonisë, Banka Evropiane për Investime, Banka Botërore, etj.