Mbappe ia shuan ëndrrën Messit, Franca fiton dramën ndaj Argjentinës
Franca ka eliminuar Argjentinën nga Kupa e Botës, në një ndeshje spektakolare me gol plot gola dhe përmbysje rezultatesh.
“Albiçelestët” kaluan grupet mes shumë vuajtjeve, por në fazën e 1/8-ave gjetën përballë një Mbappe të jashtëzakonshëm, që me shkëlqimin e tij, la në “errësirë” yllin argjentinas, Lionel Messi.
Franca hapi serinë e golave me anë të Griezmann i cili nuk gaboj nga pika e bardhë.
Argjentina u zgjua në minutën e 41-të, kur Angel Di Maria realizoi një goditje të jashtëzakonshme, që pavarësisht distancës së largët, përfundoi në rrjetën e Hugo Lloris, duke bërë që pjesa e parë të përfundonte në barazim 1-1.
45-minutëshi i dytë nis sërish me gol për Argjentinën, të cilët kaluan në epërsi me anë të mbrojtësit Mercado.
Kur dukej që ndeshja po shkonte në favor të Argjentinës, Pavard del në skenë me një gol të jashtëzakonshëm nga distanca.
Shtatë minuta pas golit të Pavard, filloi Mbappe-show sërish, me sulmuesin e PSG-së, që tregohet i jashtëzakonshëm në minutat e 64’ dhe 68’, duke arritur të shënojë dy gola mjaft të bukur dhe të çojë rezultatin në 4-2.
Franca filloi të administrojë lojën dhe të mbrojë rezultatin, ndërsa Argjentina tentoi vetëm një herë me Messin të rihapë takimin, por kapiteni nuk ia doli të shënojë.
Goli i shënuar nga Aguero në minutën e tretë shtesë, shërbeu vetëm për statistikë, pasi nuk kishte më kohë për të barazuar. Nga ana tjetër, vlen të theksohet se pavarësisht rezultatit, trajneri Horge Sampaoli nuk preferoi të hedhë në fushë lojtarë si Higuain dhe Dybala, emra me peshë, që mund të ndryshojnë fatin e një ndeshjeje.
Argjentina i jep kështu lamtumirën botërorit “Rusi 2018”, pa lënë aspak gjurmë dhe duke marrë vetëm një fitore, atë ndaj Nigerisë. /IndeksOnline/