Mbrojtja e Mjedisit nga mbeturinat edhe me Task Forcë qeveritare
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë të ditur se që nga muaji shtator do të fillojë me zbatimin e Udhëzimit për Gjobat Mandatore, ku përmes gjobitjes së qytetarëve që hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara do të ndalim ri-krijimin e deponive ilegale të mbeturinave.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për krijimin e Task Forcës për pastrimin e mjedisit në periudhën 15 shtator- 15 dhjetor 2018.
“Ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj si koordinatore e kësaj Task Force, së bashku me Kryeministrin, ministrat, shoqërinë civile, FSK-në, KFOR-in dhe të tjerët do të sigurojnë një aksion gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm për pastrimin dhe gjelbërimin e Kosovës. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të raportojnë të gjithë ata që në një apo formë tjetër ndotin mjedisin ku jetojmë duke vepruar kështu së bashku në ruajtjen dhe mbrojtjen mjedisit”, thuhet në kumtesën e dërguar nga kjo ministri, përcjell KosovaPress.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po ashtu ka mirëpritur edhe vendimin tjetër të Qeverisë së Kosovës për miratim të Projektligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, që ka për qëllim të ofrojë një bazë për zhvillimin e masave të komunitetit për zvogëlimin e ndotjes së ajrit nga burimet e mëdha, në veçanti nga industria, amvisëria, shërbimet publike dhe private, automjetet e transportit dhe infrastruktura.
Projektligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, sipas ministrisë është hartuar në harmoni me standardet evropiane, sipas teknikave të reja juridike, me një koncept fleksibil, të zbatueshëm në sistemin juridik të Republikës së Kosovës.