14:28 / E Martë, 11 Qershor 2019 / indeksADMonline

Mbytet një tjetër person në plazhin e Durrësit

Një tjetër viktimë është regjistruar mesditën e sotme në plazhin e Durrësit. Sipas të dhënave paraprake, viktima dyshohet se është rreth 70 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Pistës “Iliria”, ndërsa mësohet se kanë qenë pushuesit që kanë konstatuar se i moshuar po kërkonte ndihmë. Këta të fundit kanë ndërhyrë për ta nxjerr në breg, por i moshuari ka ndërruar jetë.

Ende nuk është bërë i mundur identifikimi i tij, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes. Trupi i pajetë ndodhet aktualisht në morgun e Spitalit Rajonal Durrës.

Dyshohet se shkak për vdekjen e të moshuarit mund të jetë bërë një atak kardiak, por pas ekspertizës mjeko-ligjore do të përcaktohen rrethanat e vdekjes së 70-vjeçarit.

“Më datë 11.06.2019,rreth orës 11:20, në lagjen nr.13,Durrës, në afërsi të Pistës “Iliria”, një shtetas ende i paidentifikuar, i seksit mashkull, rreth 70 vjeç, 1.75 cm i gjatë , është futur në det dhe nuk është ndjerë mirë, ai është nxjerrë nga pushuesit dhe është transportuar në Spitalin Rajonal Durrës, ku ka ndërruar jetë.Nga këqyrja paraprake e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se shkaku i vdekjes të ketë qënë arrest kardiak. Po punohet për identifikimin e kufomës”-njofton policia.