14:33 / E Enjte, 23 Gusht 2018

…me protestu me nejt n’Kosovë

Në rrethojat e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kuvendit prej vitesh ndodhen fotografitë e të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë, portretet e tyre tashmë janë zbehur nga koha ashtu siç është zbehur edhe shpresa se ata janë gjallë diku.

Sot 20 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, sipër fotografive të të zhdukurve u vendosën parulla të freskëta të mijëra protestuesve të cilët po kërkojnë dorëheqjen kryetarit të qeverisë, Ramush Haradinajt dhe kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezit, pas skandalit të prokurorisë në hetimet që po bëhen me rastin e ashtuquajtur “Veteranët e Luftës”. Protestës së paralajmëruar ditë më parë ju bashkova vullnetarisht edhe unë ashtu siç iu pata bashkangjitur edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si 18 vjeçar, 20 vite më parë.

Pra, unë protestoj kundër ish-komandantëve të UÇK-së të cilët sot po e udhëheq me institucionet kryesore të vendit dhe kundër kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit i cili ka ardhur në krye të kësaj detyre i mbështetur pikërisht nga këta ish-komandantë e të cilët kanë dëshirë të quhen apo vetëquhen “Çlirimtarë”.

Protestoj kundër disa ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtri së cilës i kam shërbyer me shumë nder dhe krenari, sepse ata ma kanë humb nderin dhe krenarinë e të qenurit veteran i UÇK-së. Mua sot më vjen turp t’i tregojë dikujt që e ka përjetuar luftën në Kosovë se kam qenë pjesë e UÇK-së, sepse unë në sy të të tjerëve mund të shihem si mashtrues! Po, po edhe kanë të drejtë të më quajnë mashtrues, dezerterë, uzurpator e dallavergji sepse shumica në lista të veteranëve janë të tillë…!

Ani unë i shkreti mendoja të shkoja në prokurori e t’i denoncoja mashtruesit e dezerterët, e sot prokuroria bashkë me Kryetarin e Kuvendit e Kryeministrin e Kosovës, mashtrues dhe dezereter po e quajnë prokurorin i cili tentoj t’i vë para përgjegjësisë disa ish- komandant të zonave të UÇK-së me në krye Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së si përgjegjësit kryesor për fryrjen e listave të veteranëve.

Veteranët e vërtetë sot e kanë shumë të vështirë t’i denoncojnë mashtruesit dhe dezerterët sepse ata tashmë kanë krijuar skuadra, togje, batalione e brigada të tëra dhe me këtë gjygjësi dhe prokurori pikërisht ne mund të përfundojmë mashtrues dhe dezerter sepse në fronte të luftës ne kemi shumë pak dëshmitarë…! Edhe prijësi ynë Adem Jashari përveç familjarëve të tij në ditën e rënies kishte shumë pak shokë dhe luftëtar rreth vetës por pas luftës ju bënë shumë kush me ndonjë fotografi besa edhe fotomontazh e kush me rrena e thashetheme u bë shok i Adem Jasharit , ashtu siç u bënë shumë veteranë pas luftës duke mashtruar dhe keqpërdorë në mënyrë të tillë emblemën e shenjt të UÇK-së. Krejt këto marrëzira i kanë bërë pikërisht disa ish komandantë të UÇK-së me qëllim kryesor të vetëm për të fituar vota dhe përmes votave ta fitojnë pushtetin e përmes pushtetit të vjedhin dhe fitojnë para dhe pasuri. E, kjo në fakt paska qenë edhe qëllimi kryesor i tyre qëkur e paskan kapur pushkën për të luftuar për çlirimin e Kosovës sepse shumica prej tyre sot janë milionerë. Prandaj unë si ish-ushtar i UÇK-së protestova kundër këtyre ish-komandantëve të UCK-së sepse janë pikërisht këta që i kanë njollos dhe keqpërdorë luftën e UÇK-së dhe vlerat e saj, janë pikërisht këta që kanë vjedhur dhe plaçkitur Atdheun tonë Kosovën pa mëshirë e krejt këto duke u fshehur prapa UÇK-së.

“Ku jeni kanë ju 60 mijë veteran kur 1 milion banorë të Kosovës u shpërngulen dhunshëm në Bllacë e në Shqipëri pse nuk na mbrojtët ?”- jehonte zëri i një vajze rreth te 30-tave e cila me mikrofon në dorë po ju drejtohej protestuesve të cilët duartrokisnin dhe brohorisnin në mbështetje të asaj se çfarë po thoshte ajo. Ndërsa unë i hutuar ulja kokën… e zëri i saj plot mllef kumbonte në veshët e mi; “ku jeni kanë ju 60 mijë veteranë kur 20 mijë nana e motra tona u dhunuan nga ushtarët dhe policët serb, ku jeni kanë pse s’na mbrojtët ? Unë shikoja tokën se mos është hapur ndonjë gropë e të futem në të…!

Kosova që nga pavarësia është udhëhequr dhe po udhëhiqet nga ish komandantë e UCK-së e pikërisht përgjatë këtyre 10 viteve është vjedhur dhe plaçkitur pamëshirë nga bijtë e vet të cilët thonin se e kam kapur pushkën për të luftuar për lirinë e Kosovës. Nuk ka fyerje më të madhe për një ushtar i cili i ka shërbyer me zell dhe devotshmëri kësaj ushtrie të dëgjoj dhe të shoh se në çfarë derexhe e kanë sjellë vendin pikërisht komandantet e ushtrisë së cilës i ka shërbyer dikur me krenari…!

Nuk ka dëshpërim dhe fyerje më të madhe për një ushtar të vërtet te UÇK-së kur sheh se komandantët e tij për pushtet dhe para e kanë futur në listë dhe e kanë bërë të barasvlershëm me dezerterët, sabotuesit, uzurpatorët me mashtruesit madje edhe me spiunët e armikut…

Nuk ka dëshpërim më të madh për një luftëtar të lirisë kur e sheh shtetin për të cilin ka luftuar dikur; pa zhvillim, pa arsim e pa shëndetësi, kur e sheh popullin e vet në gjendje të mjerueshme pa punë e pa mirëqenie e, liria pa mirëqenie humb kuptimin ashtu siç po humb kuptimin edhe lufta e jonë. Po humb kuptimin edhe gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e gjithë popullit për liri dhe pavarësi.

I dëshpëruar dhe i hutuar në gjithë këtë situatë të zymtë rri i shtangur përballë fotografive të të zhdukurve gjatë luftës, ata janë me mijëra. 20 vite më pas dhjetëra, mijëra të tjerë po ikin e po zhduken për së gjalli duke u tretur në dhe të huaj. Ata po ikin nga padrejtësia nga krimi dhe korrupsioni që e kanë instaluar në Kosovë të ashtuquajturit “Çlirimtarë”.

Kur u ktheva në banesë mas protestës fëmijët më dolën përpara e m’vetën babë pse je vonu ku je kanë? unë ju thash se isha me protestu. Duke qenë se n’familje shpesh diskutojna se qysh njerëzit po ikin për Gjermani e venden tjera, ata vazhduan me pyetje; A me protestu me shku n’Gjermani ?

jo thash me protestu me nejt n’Kosovë!

Jeton Sopa, ish ushtar i UÇK-së

Mos i humb