12:59 / E Premte, 20 Nëntor 2020 / OSH

“Më shumë viktima nga sa janë raportuar”, Rama, Bashës: Ke kaluar cakun

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzës së një dite më parë të kreut të PD, Lulzim Basha, se numri i viktimave nga koronavirusi mund të jetë më i lartë se ai i raportuar nga autoritetet. Për këtë, Basha paraqiti edhe një listë, për të cilën pretendonte se ishte marrë nga morgu, ku numri i viktimave nuk korrespondonte me ato të publikuara.

Në reagim, Rama i drejtohet Bashës duke i thënë se me këtë akuzë ka kaluar cakun e politikës së ulët ditore, siç e quan ai. Rama, thekson se të shtunën do të mbajë edhe një deklaratë lidhur me këtë akuzë.

“Për akuzën e pashembullt të Lulëzim Bashës, e cila cenon drejtpërdrejtë integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre, do t’u drejtohem nesër shqiptarëve me një mesazh të drejtpërdrejtë, sepse këtu është shkuar shumë-shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjeshtë për llafet e një aktori të papërgjegjshëm!

Sot u shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, profesoreshë Najada Çomos e të gjithë skuadrës së saj shembullore, duke u përulur me mirënjohje përpara stërmundimit të tyre të përditshëm prej nëntë muajsh me radhë, si edhe duke u thënë që historia e mjekësisë shqiptare do të flasë për ta kur Lulëzim Bashës e xhagajdurëve të tjerë të botës mizerabël të shpifjeve e të thashethemeve, t’u jetë harruar emri, nami e nishani!”, shkruan Rama.