13:28 / E Hënë, 26 Mars 2018 / indeksADMonline

Mediat saudite: Shqipëria, destinacioni kryesor për t’u vizituar në 2018

Vendimi më i fundit i qeverisë shqiptare për heqjen e vizave për qytetarët e Mbretërisë së Arabisë Saudite gjatë sezonit turistik është pritur me interes duke u pasqyruar edhe në portalet vendase.

Lidhur me këtë vendim por edhe për potencialet turistike, Arab Weeks Days ka publikuar një intervistë me ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e  Arabisë Saudite, Sami Shiba i cili tregoi se qytetarët nga Arabia Saudite mund të udhëtojnë dhe të hyjnë në Shqipëri pa viza nga data prilli 2018 deri më 31 tetor 2018.

”Për udhëtarët sauditë që duan të vijnë në Shqipëri nuk ka ndonjë kërkesë specifike. Gjatë periudhës verore, nga 1 prilli 2018 deri më 31 tetor 2018, qytetarët sauditë mund të udhëtojnë në Shqipëri pa viza, pa pasur nevojë të marrin vizë në Ambasadën e Shqipërisë. Udhëtimi mund të bëhet me një pasaportë të vlefshme. Unë dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të ftuar turistët sauditë që ta konsiderojnë Shqipërinë si një nga opsionet më të mira kur bëjnë planet e tyre të pushimeve”, deklaron ambasadori shqiptar.

Më tej ai flet për  potencialet e jashtëzakonshme turistike të bregdetit dhe zonave malore të Shqipërisë, raporton atsh.

Bukuria natyrore, pozicioni i saj gjeografik dhe klima e kënaqshme mesdhetare e bëjnë Shqipërinë një vend të veçantë turistik në Evropë gjatë gjithë vitit. Këta faktorë kontribuan në rritjen e numrit të shtetasve të huaj që vizitojnë Shqipërinë si turistë gjatë vitit 2017 në mbi 5.2 milionë. Kohët e fundit, turizmi shqiptar është rritur, duke u futur në paketat turistike që tregojnë tiparet më të çmuara të saj, si: turizmi i diellit dhe detit, turizmi historik dhe kulturor, turizmi malor dhe fushor.

Shqipëria ka një bregdet të konsiderueshëm 450 km dhe shtrihet përgjatë detit Adriatik dhe Jon, ku brenda pak minutave turistët mund të përjetojnë klimën malore të Llogarasë dhe ngrohtësinë e bregdetit të Dhërmiut. “Përveç plazheve, bregdeti i Adriatikut është i pasur me laguna dhe ekosisteme natyrore.

Vija bregdetare e Jonit është e njohur për plazhet interesante me ujëra të thella dhe shumë të pastra. Një nga zonat më interesante turistike të vendit është Riviera Shqiptare, vendi ku dielli shtrihet në detin e thellë, konfigurimet e mrekullueshme të plazheve të vogla të izoluara, malet dhe kodrat e mbuluara me bimësi mesdhetare etj. Ky është rajoni më i ngrohtë i Shqipërisë dhe bekohet me 300 ditë me diell. Qyteti i Sarandës është qyteti më i populluar në Riviera Shqiptare dhe është një destinacion i madh turistik, veçanërisht i preferuar nga çiftet e sapomartuara në muajin e mjaltit. Qyteti është pozicionuar mirë në bregdet që është vetëm 9 km larg nga ishulli i Korfuzit”.

Shqipëria është e pasur me burime natyrore të ujit, të tilla si lumenjtë, liqenet dhe një bregdet i gjatë detar. Dy nga ekosistemet më të rëndësishme janë liqenet e Shkodrës dhe Ohrit, të njohura nga Konventa RAMSAR dhe UNESCO. Shqipëria është gjithashtu e pasur me burime, lumenj dhe përrenj. Katër burime të mrekullueshme për bukurinë e tyre natyrore janë Syri i Kaltër në Sarandë, Uji i Ftohtë në Tepelenë, Viroi në Gjirokastër dhe Syri i Sheganit në Liqenin e Shkodrës.

Shqipëria ka burime të rëndësishme për zhvillimin turistik të zonave malore. Alpet shqiptare në veri, malet përgjatë detit Jon, malet e Krujës, Beratit dhe Elbasanit ofrojnë mundësi të mëdha për tu vizituar nga turistët gjatë gjithë vitit, edhe gjatë dimrit pasi ka një klimë të butë. Shqipëria ofron akomodim shumë tradicional në rajonet e saj malore duke lejuar një eksperiencë interesante të zhytjes kulturore.

Pjesa më e madhe e turistëve qëndrojnë në shtëpitë e vjetra tradicionale prej guri, të ashtuquajturat “Kullat”, ku qytetarët e zonës i mirëpresin me gatime të bëra vet me bukë, mjaltë, djathë dhe ushqime të tjera të shijshme shtëpie. Majat e Ballkanit të cilat i përkasin rajonit kufitar alpinë midis Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, është destinacioni i rritjes së popullaritetit në hartat e turistëve në mbarë botën.

Shqipëria ka një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore të njohur si pjesë e trashëgimisë kulturore të botës që garanton mbrojtje të veçantë. Butrinti, që ndodhet në jug të Shqipërisë, është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe është përshkruar si një nga vendet më të mahnitshme në tokë. Dy qytete të tjera shqiptare janë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të shquar për stilin e tyre arkitekturor: Berati dhe Gjirokastra. Unë jam i sigurt se historia e pasur do të lërë të befasuar këndshëm vizitorët e huaj.

Shqipëria është vend i sigurt për vizitorët. Shqiptarët janë shumë të hapur ndaj të huajve që vizitojnë vendin e tyre. Mikpritja është një traditë e vjetër shqiptare. Të huajt gjithmonë trajtohen me respekt të veçantë. Shqiptarët janë një popull miqësor që i bën vizitorët të ndjehen shumë të mirëpritur.

Përveç mikpritjes , Shqipëria është e pasur me tradita dhe folklor. Gjatë vizitës tuaj nëpër muze etnografike, si dhe duke ndjekur aktivitetet artistike folklorike, ju do të jeni në gjendje të shijoni këtë pasuri të trashëguar gjatë shekujve që ende vazhdon të lulëzojnë edhe në ditët e sotme. Tani Shqipëria është pjesë e botës bashkëkohore të artit dhe kulturës, në sajë të një sërë artistësh në Shqipëri që punojnë në disiplina të ndryshme. Vizita juaj në Shqipëri është një mundësi e mirë për të vizituar shumë galeri arti, ekspozita, muze, dhe për të përjetuar artet përmes një gamë të gjerë aktivitetesh të ndryshme.