15:55 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Mercedesi i del në mbrojtje Ferrarit, kundër pronarëve të Formula 1

Edhe Mercedes ka vendosur të dalë kundër manovrave që kërkon të bëjë Liberty Media, kompania që ka marrë aksionet e Formula 1, që kërkon të ndryshojë rregullat e lojës. Makina gjermane ka dalë në krah të Ferrarit në këtë betejë, duke bërë që një tjetër skuadër e rëndësishme e cirkuitit të kundërshtojë revolucionin që kërkon të bëhet. Drejtori sportiv i Mercedes, Toto Wolff, ka mbështetur idetë e Ferrarit, duke bërë një aleancë me “kokëkuqen” kundër pronarëve të rinj të Formula 1.

“Aktualisht kemi motorët e garës më të fuqishëm dhe më efiçentë që ka njohur historia e këtij sporti. Me rregullat e reja për motorët e rinj, ekziston mundësia për t’i përmirësuar ato. Por të zhvillosh një motor që nuk respekton ecolucionin teknologjik të elektronikës dhe fuqisë, pra të kesh një motor arkaik, këtë gjë nuk e duam”, tha Toto Wolff në një intervistë për mediat gjermane.

Shefi i makinës gjermane ka këshilluar Liberty Media që të mos i nënvlerësojë kërcënimet e Ferrarit: “Marchionne duhet besuar në fjalët e tij. Unë jam i qetë, pasi Ferrari është Formula 1 dhe Formula 1 është Ferrari. Por nëse do të isha në vendin e Liberty Media, nuk do ta vazhdoja këtë luftë, duke provokuar Marchionne me sugjerime të papranueshme dhe modifikime pa sens. Askush nuk dëshiron që Formula 1 të kthehet në një kanal biznesi me kosto të ulët. Formula 1 duhet të mbajë të paprekshme bazën e saj. Ne duhet të përmirësojmë ambientin mediatik, që po ndryshon. Kemi nevojë për një evolucion, jo për një revolucion idiot”, tha Wolff.