14:05 / E Martë, 29 Maj 2018 / indeksADMonline

Merret huaja për financimin e një pjese të autostradës Prishtinë-Pejë

Ministri i Financave Bedri Hamza nënshkroi sot në Luksemburg me zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane për Investime (BEI) Dario Scannapieco marrëveshjen e huas për financimin e projektit për autostradën Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq në vlerë prej 80 milionë euro.

Projekti është një ndër prioritetet qeveritare që do t’i ndihmojë qytetarëve të Kosovës, me theks atyre të Dukagjinit, por që është më e rëndësishmja përveç që do ta lidhë Kosovën me shtetet tjera evropiane do të ketë edhe ndikim në zhvillim ekonomik të vendit.

Kjo është marrëveshja e dytë financiare që po nënshkruhet për këtë projekt, pas asaj me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tanimë e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës. Përveç dy kredive, për këtë projekt gjithashtu janë përfituar grante nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.

Ministri Hamza tha se Qeveria e Kosovës e konsideron Bankën Evropiane për Investime si një partner strategjik për zhvillim dhe integrim evropian, gjë që do të reflektohet edhe përmes investimeve të përbashkëta në sektorë të tjerë.

Ndërsa, zëvendëspresidenti Scannapieco tha se kjo është marrëveshja e dytë financiare që nënshkruhet mes dy institucioneve dhe dëshmon përkushtimin për praninë e këtij institucioni evropian në Kosovë.

“Banka Evropiane për Investime ka ndarë për Kosovën 257 milionë euro, prej të cilave deri më tani janë nënshkruar 149 milionë euro marrëveshje financiare”, tha ai.

Gjatë vizitës në Luksemburg, ministri Bedri Hamza pritet të takojë edhe përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë të Bankës Evropiane për Investime për të diskutuar progresin e projekteve aktuale në Kosovë dhe mundësitë e financimit të projekteve potenciale në sektorin e mjedisit, shëndetësisë dhe atij privat.