19:31 / E Mërkurë, 11 Tetor 2017 / indeksADMonline

Meta i falenderohet Finlandës për vëmendjen ndaj Kosovës

Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Presidenti Ilir Meta u takua dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Timo Soini, i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Mësohet se gjatë takimit, presidenti Meta shprehu kënaqësinë që një vend evropian si Finlanda e ruan vëmendjen ndaj rajonit tonë dhe ndaj Kosovës në veçanti, duke e konsideruar të domosdoshme dhe me rëndësi të madhe prezencën dhe vëmendjen e shtuar të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Ai theksoi se BE duhet të përcaktojë një perspektivë të qartë evropiane për Kosovën, pasi ky proces mbetet një nxitës dhe motor i fuqishëm për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Duke uruar Finlandën për 100-vjetorin e pavarësisë së saj, Meta shprehu interesin që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të zgjerohen më tej, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe në fushën e turizmit./tch