15:38 / E Diele, 09 Shtator 2018 / indeksADMonline

Meta në drekë pune me Thaçin

Përderisa në Kosovë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka zhvilluar një vizitë dy ditore, në anën tjetër presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zgjedhur Shqipërinë për të kaluar fundjavën.

E, në vizitën e tij në bregdetin shqiptar Thaçi, ka drekuar me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta në qytetin e Durrësit,  shkruan Indeksonline.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Presidenti Meta në Facebook:

Shkrimi i plotë i Metës:

Kënaqësi të takohesha sot në Durrës për një drekë pune me Presidentin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi. Rritja e mëtejshme e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve është një prioritet i përbashkët. Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të rajonit është qëllim i përbashkët.

Ndaj është me rëndësi vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë – Serbi që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke midis dy vendeve si edhe të ardhmen e tyre në BE por dhe një bashkëjetesë të përhershme midis shqiptarëve e serbëve në interes të gjeneratave të ardhshme./Indeksonline/