12:51 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Meta: Qëndrimi i Shqipërisë në OKB duhet të ishte i mirëkoordinuar

“SHBA mbetet aleati dhe partneri më i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla si vota e djeshme e Shqipërisë në OKB duhet të jenë të mirëkoordinuara”.

Përmes një reagimi në faqen zyrtare të presidencës, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, komentoi votën e djeshme të Shqipërisë në OKB.

“Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar. Presidenti vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”, tha zëdhënësi i presidentit.

Populli dhe kombi shqiptar, sipas presidencës, nuk e harrojnë kurrë dhe i janë mirënjohës vendimeve historike të SHBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi dje me një maxhorancë të gjerë një rezolutë ku dënohet njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga ana e Uashingtonit. Në 193 vende anëtare, 128 votuan pro kësaj rezolute dhe nëntë kundër, 35 vende vendosën të abstenojnë.