16:25 / E Enjte, 23 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ministri Beqaj vazhdon të heshtë karshi akuzave të ish-prokurorit Blakaj

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ende nuk e ka thënë as edhe një fjalë të vetme, për akuzat e ish-prokurorit, Elez Blakaj, ndaj krerëve më të lartë të Prokurorisë, duke thënë se janë të ndikuar nga politikanë vendor.

Në letrën sqaruese për arsyejen e dorëheqjes Blakajt, përmendet edhe Besim Beqaj, për të cilin thotë se kryeprokurori Aleksandër Lumezi, kishte tentuar që ta mbrojë nga aktakuza.

“Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte dërguar në gjykatë!”, ka shkruar Blakaj.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka pranuar se e ka takuar dhe ka folur me Besim Beqajn rreth aktakuzës.

“Është përmend që Besim Beqaj ka dashtë me u taku me mu lidhur me këtë çështje. Ai më ka thirrë në telefon dhe kemi bisedu dhe ai më ka thanë që është i shqetësuar për këtë rast. E unë i kam thanë që do ta këqyrim dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha provat, e nëse ka prova normal do të ngritet aktakuza, e nëse jo… Po krejt kjo është me rëndësi që biseda në mes neve është bo mbasi është ngritë akti akuzues dhe ka shku në gjykatë”, ka thënë Lumezi, shkruan Insajderi.

Ai ka thënë se me Besim Beqajn është taku në një ndejë, ku kanë diskutuar.

“Ai ka qenë i revoltuar edhe me mua edhe me sistemin që jena në mënyrë të padrejtë duke e bo edhe jena me qëllime të caktume duke e akuzu atë pasi nuk ka asnjë provë që ai ka ndiku në punësimin e njerëzëve në rastin e PRONTO-s” ka thënë Lumezi.

Vet Beqaj nuk ka komentuar deklaratat e prokurorit të dorëhequr e as takimin me kryeprokurorin Lumezi.

Ndaj Beqajt, dhe protagonistëve tjerë të  përgjimeve “Dosja e Shefave”, në muajin prill Prokuroria kishte ngritur aktakuzë. Adem Grabovci, Beqaj e të tjerët, akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Temat: