15:53 / E Premte, 09 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ministri Berisha merr mbështetjen e Shqipërisë në ndërtimin e kapaciteteve të FSK-së

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

Gjatë vizitës së tij në shtetin shqiptar,  ministri Berisha  ka zhvilluar  takime të ndara me presidentin Ilir Meta dhe ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

 Mistri Berisha dhe presidenti shqiptar Ilir Meta biseduan për marrëdhëniet  Kosovë- Shqipëri, situatën në rajon e më gjerë, ndikimin dhe rolin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe kontribuuese e ruajtjes dhe ndërtimit të paqes përkrah shteteve demokratike, për mundësitë potencialet që ka shteti shqiptar për mbështetjen e Republikës së Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë dhe të mbrojtjes, si dhe për mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj për anëtarësim në iniciativat dhe organizmat ndërkombëtarë të sigurisë.

Ministri Berisha gjithashtu e njohu presidentin Meta me procesin e tranzicionit të FSK-së, miratimin e  tri  ligjeve nga Parlamenti i Kosovës lidhur me këtë proces,  transparencën e plotë të këtij procesi, bashkëpunimin me partnerët strategjikë dhe shtetet anëtare të NATO-s  për përfundimin me sukses të procesit, i cili po zhvillohet me  konsensus të plotë të faktorit të brendshëm politik në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, ministri Rrustem Berisha u prit në takim edhe nga ministrja shqiptare e Mbrojtjes Olta Xhaçka, më të cilën biseduan për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për marrëdhëniet e mira dypalëshe ndërmjet Ministrisë për FSK dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë.

Ministri Berisha shprehu nderime të larta për ministren  Xhaçka,  ministrinë që ajo drejton dhe qeverinë shqiptare në përgjithësi, për rolin dhe angazhimin e saj personal dhe të Republikës  së Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s,  për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit e më gjerë dhe kontributin e saj të gjithanshëm në proceset integruese të vendeve të rajonit.

Krahas kësaj, ministri Berisha e njoftoi ministren Xhaçka edhe me  zhvillimet e fundit në MFSK dhe FSK, arritjet dhe partneritetin e ndërtuar me shtetet mike, si dhe për avancimin e planit lidhur me  misionin dhe detyrat e FSK-së, i njohur tashmë si procesi i tranzicionit të FSK-së.

Nga ana e saj, ministrja Xhaçka e siguroi ministrin Berisha se Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë  do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve të saj dhe në objektivat për integrime euroatlantike./Indeksonline/