14:58 / E Premte, 13 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ministri Gashi premton zgjidhje për zjarrfikësit

Ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi, priti në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, ku u diskutua rreth zgjidhjes së qartë të statusit të zjarrfikësve.

Me këtë rast ministri vlerësoi të drejtën e zjarrfikësve për të protestuar në mënyrë paqësore në kërkimin e të drejtave të tyre me mjete demokratike, ndërkohë që i njoftoi për angazhimet e fundit sa i përket zgjidhjes së statusit të tyre.

Ministri Gashi theksoi se është duke bërë përpjekje maksimale që brenda këtij viti të gjejë një zgjidhje sa i përket statusit të zjarrfikësve.

Ai tha se tashmë janë në fazën e fundit të gjetjes së një zgjidhje optimale për zjarrfikësit, në mënyrë që krahas cilësisë së reagimit që kanë këta trupa, të kenë edhe statusin e tyre të pranueshëm.

Po ashtu ministri Gashi vlerësoi profesionalizmin e zjarrfikësve në Kosovë që përkundër kushteve me të cilat veprojnë zjarrfikësit, të gjitha rastet e paraqitura tek këto njësi i janë përgjigjur me profesionalizëm.