20:21 / E Hënë, 05 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ministri Hasani: Vetëm duke i përkrahur prodhuesit vendor do të arrijmë zhvillim ekonomik e punësim

Mbrojtja e prodhuesve vendor si dhe krijimi i marrëdhënieve më të mira tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, është njëra prej synimeve kryesore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Kështu ka thënë ministri i kësaj ministrie Bajram Hasani të hënën në një konferencë të përbashkët në Klubit të Prodhuesve të Kosovës dhe Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar në të cilën u diskutua për sfidat e tregut të përbashkët Kosovë-Shqipëri.

Në këtë konferencë ku u diskutua për pengesat dhe sfidat rreth unifikimit të një tregu të përbashkët Kosovë- Shqipëri, ministri Hasani ka thënë se janë duke punuar shumë që të krijohen marrëdhënie më të forta në mes të dy vendeve.

“Që nga marrja e detyrës kemi qenë të interesuar që t’i ndërtojmë edhe më fort marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë. Gjatë vizitës së zëvendëskryeministres Mesi në Prishtinë e kemi dhënë një ide që të krijojmë një strategji kombëtare të zhvillimit tregtar. Ideja ka qenë që ata prodhues që kanë kapacitete dhe mundësi që të eksportojnë nga Kosova, t’u jepet edhe nga Shqipëria dhe anasjelltas. Ne e dimë saktësisht që bilanci tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është 3 me 1, d.m.th ne eksportojmë nga Shqipëria rreth 50 milion kurse importojmë 150 milion. Do të doja që ky bilanc të jetë më i lartë në të dy anët. Ne jemi këtu për të ju përkrahur”, ka thënë ministri Hasani.

Ai ka thënë se në Kosovë në mesin e prodhuesve ka nga ata që mund të eksportojnë në Shqipëri, rajon por edhe në tregjet evropiane.

“Natyrisht nëse prodhuesit nga Kosova e shohin me interes ne do ta shtyjmë këtë cështje me qëllimin më të mirë që t’i ipet hapësirë dhe mundësi që t’i rrishin kapacitetet e tyre, sepse kemi disa prodhues që mund të eksportojnë jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet e rajonit dhe ato evropiane”, ka shtuar Hasani.

Sipas tij, ministria që ai drejton është duke punuar shumë që t’i përgatitin bizneset duke i pajisur me certifikata, marka tregtare në mënyrë që produktet të jenë sa më cilësore dhe të pranueshme për tregun evropian.

“Në Ministrinë e Tregtisë jemi duke punuar shumë që t’i përgatisim bizneset, d.m.th markat tregtare që produktet të jenë sa më cilësore dhe të pranueshme në tregun evropian. Nëse dakordohemi ky është një lajm i mirë që prodhuesit e dy vendeve kanë rënë dakord. Ndoshta kjo duhet të shqyrtohet me kujdes se a do të ketë lirim për të gjithë apo do të bëjmë një listë. Ne që nga fillimi kemi qenë në krahë të prodhuesve vendor, kemi marrë disa masa, efektet e të cilave janë vërejtur”, është shprehur i pari i MTI-së.

Ai ka thënë se do të jetë mbrojtësi kryesor i prodhimeve vendore.

“Do t’i rrimë në krahë prodhuesit tonë. Aty ku na mundëson ligji ne do t’i mbrojmë sepse duke i mbrojtur prodhimet tona dalim aty ku duam pra te rritja e numrit të të punësuarve por edhe zhvillimit ekonomik të vendit”, ka theksuar Hasani.

Minsitri më tej ka paralajmëruar se MTI së shpejti do të procedojë Ligjin për Tregti të Brendshme, me të cilin synohet që të vihet edhe më shumë rregull, sepse sipas tij prodhuesit vendor kanë telashe edhe me ekspozimin e produkteve nëpër markete. “Kjo është rruga më e mirë ta bëjmë nëpërmjet ligjit”, ka premtuar ministri Hasani.