08:58 / E Enjte, 26 Korrik 2018 / indeksADMonline

Ministri Pal Lekaj, propozohet të jetë nënkryetar i parë i AAK-së

Dje është konstituuar kryesia e re e partisë së kryeministrit, Ramush Haradinaj, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai i ka propozuar Këshillin Drejtues, përbërjen e kryesisë, e cila e ka marrë besimin e Këshillit Drejtues, sipas Statutit të Partisë.

Në mesin e nënkryetarëve, Kryetari Haradinaj i ka rikonfirmuar besimin si nënkryetar të vetin Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili e ka patur ketë pozitë edhe më herët.

Sipas burimeve nga brenda takimit të djeshëm të Këshillit Drejtues, Ministrit Lekaj është kërkuar që t’i besohet pozita e nënkryetarit të parë, kjo me arsyetimin se është njëri nga Ministrat me të suksesshëm në qeverinë Haradinaj.

Një deputet i AAK-së, në propozimin e tij që Ministri Lekaj të marrë besimin si nënkryetar i parë, ka dhënë arsyen se momentalisht, është nga të vetmit njerëz që po angazhohet bashkë me kryetarin e partisë dhe strukturat tjera, për një konsistencë të pastër kombëtare në zhvillimet që po ndodhin në vend dhe është i pa përtueshëm që të jetë në kontakt me gjithsëcilin anëtarë e aktivist të Aleancës, për t’i shpjeguar angazhimet e kryeministrit dhe qeverisë Haradinaj, poashtu me aktivitetin e tij si Ministër, po tregon se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është forcë politike e qendrueshme dhe që interes parësorë dhe të vetëm e ka zhvillimin e vendit.

Kujtojmë se Ministri Pal Lekaj, që nga themelimi i AAK-së ka qenë përkrah Kryeministrit Haradinaj dhe i njëjti ka mbajtur pozita udhëheqëse që nga Drejtor Shëndetësor në Gjakovën e pasluftës deri në ditët e sotme si Ministër i Infrastrukturës.