14:10 / E Hënë, 12 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ministri Tahiri i bindur në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit

Dy policë serbë janë arrestuar mbrëmë në veri të Mitrovicës nën dyshimin se kishin të bënin më rastin e vrasjes së liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanovniq. Gjatë ditës së djeshme, Indeksonline ka raportuar se të arrestuarit janë: Dragisha Markoviq (20.03.1970) dhe Zharko Jovanoviq (26.12.1970). Gjithashtu Policia e Kosovës ka konfirmuar se këta të fundit janë suspenduar nga puna fillimisht për 48 orë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në një intervistë për Indeksonline ka thënë se sektori i sundimit të ligjit dhe organet ligjzbatuese të Kosovës janë të zhvilluara dhe kanë kapacitete të mjaftueshme për të bërë të mundur që çdo vepër penale pavarësisht se ku dhe kur ndodhë ajo, të hetohet dhe që autorët e saj të sillen para drejtësisë.

“Rasti tragjik i vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Ivanoviq, natyrisht se ka pasur vëmendjen dhe shkallën më të lartë të përkushtimit të organeve të zbatimit të ligjit, përkatësisht prokurorisë dhe policisë së Kosovës, të cilat që në momentin e parë kanë qenë në krye të detyrës për zbulimin e rrethanave dhe kapjen e kujtdo që qëndron prapa këtij rasti”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, arrestimi i dy personave që sipas prokurorisë kanë implikime në rastin në fjalë, është shenjë se hetimi është duke ecur në rrugën e duhur dhe se prokuroria e Republikës së Kosovës është duke shënuar progres të theksuar në zbardhjen në tërësi të këtij rasti dhe në vënien para drejtësisë të kryerësve të tij.

Sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës, sipas kreut të drejtësisë,  tashmë është një sistem i qëndrueshëm në të cilin mund të besojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Arrestimet e fundit, përveçse dëshmojnë aftësinë e policisë dhe prokurorisë për të trajtuar me kompetencë dhe me kredencialet më të larta profesionale një rast të caktuar penal, dëshmojnë po ashtu se sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës tashmë është një sistem i qëndrueshëm në të cilin mund të besojnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Natyrisht, në periudhën e tranzicionit, si çdo fushë tjetër, edhe sektori i drejtësisë ka pasur çalimet e veta. Megjithatë, tashmë kur po bëhen dhjetë vite prej se Republika e Kosovës është shtet sovran, kemi arritur të ndërtojmë një konsensus të përgjithshëm se drejtësia është fundamenti i zhvillimit demokratik dhe progresiv të shoqërisë së Kosovës, prandaj vëmendja jonë ndaj sektorit të drejtësisë është në rritje e sipër, përherë nën premisat që ky sektor duhet të rrisë edhe më tutje  efikasitetin dhe performancën e përgjithshme. Në linjë me këtë, besueshmëria e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, tashmë nuk është diçka aksidentale. Ky besim dhe rritja e mëtejme e tij në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës është produkt i përkushtimit të vazhdueshëm institucional, përkushtim të cilin jam duke u përpjekur ta forcoj edhe unë si Ministër i Drejtësisë”, ka shtuar Tahiri.

Sipas ministrit Tahiri, arrestimi i fundit që lidhet me implikimet rreth rastit Ivanoviq, është një hap konkret në drejtim të zbardhjes së rastit në tërësi.

“Jam plotësisht i bindur se prokuroria e Republikës së Kosovës tashmë është në avantazh dhe se shumë shpejt do të hedhet dritë mbi motivet dhe kryerësit e kësaj vepre penale dhe të njëjtit do të dalin para drejtësisë”, ka thënë ministri Tahiri.

Ministri po ashtu është përgjigjur në pyetjen se a kanë kontaktuar me organet e drejtësisë në Serbi lidhur me zhvillimet e fundit në rastin Ivanoviq ku ka theksuar se Kosova ka gatishmëri për të bashkëpunuar në çështje juridike, të natyrës penale apo civile me të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë.

“Në kuadër të Marrëveshjes për Bashkëpunim Juridik, përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të Zyrës së Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila mundëson komunikimin me organet e drejtësisë së Republikës së Serbisë, kemi pranuar kërkesa të autoriteteve serbe për të shkëmbyer informacione të dyanshme me qëllim të zbardhjes së rastit në fjalë. Prokuroria Themelore në Mitrovicë i është përgjigjur kërkesave të organeve serbe për shkëmbimin e informatave dhe ka pasur disa komunikime në këtë drejtim. Të gjitha materialet dhe informatat e shkëmbyera kanë qenë në funksion të zbardhjes së rastit dhe assesi në ndërhyrje apo cenim të zhvillimit të hetimeve ose procedurës penale. Republika e Kosovës, ka gatishmëri për të bashkëpunuar në çështje juridike të natyrës penale apo civile me të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë edhe Republikën e Serbisë dhe ne kemi mirëpritur gatishmërinë e organeve të drejtësisë së Serbisë për të ofruar bashkëpunim për këtë rast”, ka përfunduar Tahiri./Indeksonline/