09:50 / E Hënë, 03 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Miratohen tri projektligje për FSK-në, në Komisionin për Integrime Evropiane

Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar tri projektligjet për FSK-në me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Blerta Deliu tha se projektligjet në fjalë janë në përputhshmëri me legjislacionin evropian.Ajo tha se ndjehet mirë që sot si komision përmbyllën një obligim kushtetues, në të cilin u bashkuan pozita, opozita dhe komunitete).Krahas përkrahjes që dhanë për projektligjin në fjalë, deputetët e LDK-së në këtë komision, dhanë vërejtjet e tyre.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka shprehur mbështetjen e tij për tri projektligjet, teksa ka dhënë vërejtjet e tij.”Vërejtja ime dhe sugjerimi im është, duke marrë parasysh atë nëpër të cilën kalon Republika e Kosovës, mbetet e papranueshme që termi Republikë mbetet jashtë tri projektligjeve. Unë do t’i jap mbështetje, por ne me qëllim a pa qëllim, po rrëshqasim “, tha ai.

Ndërsa, deputeti Ismet Beqiri, tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën, ku nuk dallon pozita me opozitën.”Ne s’kemi pse i ikim asnjëherë identitetit tonë të saktë që e sqaron identitetin tonë kushtetues. Ne nuk do të bëhemi pengesë, por në një të ardhme të afërt të bëhet përmirësimi i tij”, u shpreh ai.