19:28 / E Premte, 12 Janar 2024 / S Z

Mjekët në Prishtinë përballen me një numër të madh pacientësh, janë në hall dhe me sjelljen e tyre!

Kohët e fundit është rritur dukshëm numri i pacientëve, të cilët po kërkojnë trajtim në qendrat e mjekësisë familjare.

Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani, ka thënë për “Indeksonline”-n se numri i pacientëve kohët e fundit është rritur për 30 për qind, e që i bie rreth 100 pacientë për një mjek, që është një numër jashtëzakonisht i madh.

“Jo vetëm kohët e fundit, që nga festat e fundvitit e kemi vërejtur një fluks, një rritje të numrit të pacientëve, në veçanti këto 4-5 ditët e fundit, ku numri i pacientëve ka shkuar mbi 30 për qind… Kemi qendra ku numri i pacientëve është dyfishuar dhe simptomatologjia është e njëjtë, vijnë me dhembje muskulare, dhembje koke, me vjellje, barkqitje ngjizje të zërit, me kollë të thatë dhe temperatura të larta… Kohët e fundit kemi pasur që iu ka ofru numri 100 dhe e ka kaluar për mjekë. Ndërsa në pjesën normale të kohës ne nuk i kalojmë 25, 30 maksimumi 50 pacientë për një mjek. Ky numër është dyfishuar….Kemi qenë On Call 24 orë gjithë stafi me qëllim që të ofrojmë shërbime sa më të mira dhe në kohë reale për pacientin”, thotë ai.

Por jo vetëm gripi sezonal. Hashani thotë se në mesin e virusëve po qarkullon dhe Covidi-19 dhe gripi i derrit H1N1.

“Bazuar në atë që thash se disa kolegë kanë bërë testin e sars Cov 2 ose Covid- 19, të cilin dhe e bëjnë në qendrat tona, realisht ka dalë se ka virus të Covidit që po qarkullon. Por gjithashtu pa diskutim duhet të qarkullojë dhe H1N1 virusi i gripit të derrit, por mund të kenë dhe tipa të tjerë të virusëve, por sigurisht këto informacione kur del me prononcim IKSHP-ja”, tha ai.

Por mjekët nuk po përballen vetëm me fluksin e madh të pacientëve, por disa nga ta janë në hall dhe me sjelljen e tyre.

“Pacientët kur i kanë këto simptoma dhembje të trupit, por dhe temperatura, bëhen dhe pak më intolerantë, nuk tolerojnë. Kemi pasur dhe raste kur pacientët i kanë manifestuar këto përmes sjelljeve jo të mira për stafin tonë. Keni parasysh shumicën e kohës i kemi marrë dhe mjekët që janë në pushim, i kemi detyru dhe me u kthy….Kemi pasur ditë që asnjë moment nuk ka pasur ndalje të fluksit të pacientëve… Realisht janë me sjellje jo të mirë, por dhe këtë e kuptojmë se ne e dimë shumë mirë që në QMF apo institucionet shëndetësore nuk vijnë me pi kafe ose për shërbime të tjera, por kanë simptomatologjinë e vet. Por duhen të kenë parasysh dhe ata që ky personel shëndetësor është një nga ne, motrat dhe vëllezërit tanë, të cilët e japin më të mirën për të dhënë shërbime sa më të mira”, tha ai.