09:36 / E Hënë, 29 Maj 2023 / B O

MKRS reagon për herë të parë pas dyshimeve për dallavere në futbollin kosovar

Zëvëndësministrja e Sportit, Daulina Osmani ka reaguar pas dyshimeve për dallavere në javën e fundit të Superligës së Kosovës në futboll.

Osmani ka kërkuar që organet e rendit të shqyrtojnë me autoritet çdo detaj lidhur me këto dyshime.

“Ndeshjet e futbollit që u zhvilluan dje në kuadër të Superligës së Kosovës, Prishtina me Trepçën dhe Ferizaji me Dukagjinin, që të dyja, janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport.
Nuk mund t’i mbyllim sytë para dyshimeve, por as edhe të jemi pre e spekulimeve. Kërkojmë nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit që të procedojnë tutje me shumë kujdes, dhe me kohë.
Është e dhimbshme kur imazhi i sportit në vend njolloset me shenja që shkaktojnë dëme të thella dhe vështirë të riparueshme në komunitet.
Sporti është i sportistëve dhe atyre që punojnë për rezultate. Kalkulimet dhe llogaritë e përfitimeve mbi djersën dhe mundin e tyre, nuk duhet të kenë vend në sportin vendor në asnjë formë dhe asnjë moment” shkruan Osmani në reagim./Indeksonline/